Featured Image

Praktikantët përfundojnë praktikën gjashtë mujore në IAP

22/06/2023

Prishtinë, 21 qershor 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mbajti takim me praktikantët e angazhuar në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) të cilët me sukses përmbyllën punën praktike në IAP.

Me rastin e përfundimit të programit për angazhimin e praktikantëve në IAP, Avokati i Popullit mbajti takimin përmbyllës të aktivitetit në kuadër të cilit ishin angazhuar në punë praktike 13 praktikantë, me këtë rast, pjesëmarrësve iu uroi suksese në rrugëtimin e mëtutjeshëm të karrierës së tyre profesionale.

Me mbështetje të OSBE-së dhe zbatim të programit nga GLSP, nga muaji dhjetor 2022, këta praktikantë kanë vijuar punën praktike në Zyrën Qendrore dhe Zyrat regjionale të IAP-së. Ky program u realizua me qëllim që t’u ofrohet mundësia të sapo diplomuarve në fushën e drejtësisë, për avancimin profesional dhe për të zhvilluar njohuritë e tyre praktike në fushën e të drejtave të njeriut.

Gjatë kësaj periudhe, praktikantët patën mundësinë të punonin në punë profesionale juridike dhe analitike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përvojë kjo e cila u pasqyrua në rritjen e aftësive juridike dhe shkathtësive të tyre profesionale.

Avokati i Popullit dhe përfaqësuesi i Misionit të OSBE-së z. Mark Lasser, theksuan me optimizëm se programi i zbatuar me sukses rreth angazhimit të sapo të diplomuarve në punë praktike, do të ndikojë pozitivisht në avancimin e karrierës së tyre duke i përgatitur profesionalisht për tregun e punës.

Nga ana tjetër praktikantët, përvojën e punës praktike në IAP e shprehen me vlerësime të larta për mënyrën e organizimit të punës, angazhimin në çështje profesionale ligjore dhe vlerësuan klimën profesionale dhe atmosferën e mbështetjes që ata përjetuan gjatë kohës së eksperiencës praktike.