
IAP merr pjesë në konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombuds-ve për Forcat e Armatosura
Prishtinë 20 qershor 2023 – Konferenca 15-të Ndërkombëtare e Institucioneve të Ombuds-ve për Forcat e Armatosura (15ICOAF), ka mbledhur në Vjenë, Austri, mbi 100 pjesëmarrës nga gjithë bota, në punimet e zhvilluara më 18-20 qershor 2023.
Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës përfaqësohet nga zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Lulaj dhe Drejtorin, Tafil Rrahmani, krahas kolegëve të tyre prej rreth 40 shteteve pjesëmarrëse, gjithandej globit.
Tema e konferencës këtë vit ishte “Qeverisja e ndikimeve të ndryshimeve klimatike – Institucionet e Ombudsve dhe Forcat e Armatosura”.
Si një nga çështjet më sfiduese të shekullit XXI, ndryshimet klimatike dhe ndikimi që këto ndryshime kanë në aspektin social, ekonomik, politik dhe jetën publike, e detyrojnë sektorin e sigurisë të përllogarisë realitetin e ri dhe ndikimin thelbësor që ndryshimet klimatike dhe efektet e këtyre ndryshimeve shkaktojnë në mandatin e tyre dhe mënyrën se si veprojnë.
Konferenca e këtij viti kishte për qëllim të ofronte hapësirën për të eksploruar për ndikimin e ndryshimeve klimatike në forcat e armatosura, të përshkruaj në mënyrë konkrete se si ky ndikim përkthehet në ndryshime brenda kufijve të punës së tyre, si dhe për të mësuar nga praktikat e mira. Akterët e sektorit të sigurisë janë faktor potencial për të parandaluar, zbutur dhe për të zgjidhur krizat e sigurisë mjedisore, ashtu siç në të kundërtën mund të jenë akter për t’i komplikuar efektet e tyre negative.
Në anën tjetër, Institucionet e Ombuds-ve paraqesin element kritik në forcimin e qeverisjes së mirë në sektorin e sigurisë. Marrë parasysh se u është besuar detyra e mbikëqyrjes, Ombuds Institucionet ndikojnë në ndërtimin e institucioneve llogaridhënëse, transparente, pjesëmarrëse, të përgjegjshme dhe efektive. Nga ky këndvështrim, është i rëndësisë parësore fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve të Ombuds-ve, për të bërë të mundur të qeverisurit në mënyrë efektive dhe mbikëqyrjen e ndryshimeve brenda forcave të armatosura që janë të ndërlidhura me klimën.
Konferenca këtë vit u mbajt si bashkë organizim i Komisionit Parlamentar Austriak për Forcat e Armatosura Federale dhe DCAF – Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë.
ICOAF paraqet tashmë një forum ndërkombëtar të rëndësishëm për të promovuar dhe fuqizuar mbikëqyrjen demokratike të forcave të armatosura, me pjesëmarrës që ndajnë bashkërisht aspirata të njëjta për të promovuar shkëmbimin e praktikave të mira, sikur rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Ombuds-ve.