Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës

19/06/2023

Prishtinë, 19 qershor 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj vizitoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe takoi kryetarin e Bordit, z. Xhemajl Rexha dhe diskutuan për sulmet dhe kërcënimet e fundit ndaj gazetarëve në veriun e vendit.

Avokati i Popullit shprehu shqetësimin e tij për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve duke i cilësuar si sulme ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, andaj ai shtoi se çdo sulm apo kërcënim ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Z. Rexha theksoi se gjatë javëve të fundit janë regjistruar 40 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punëtorëve tjerë medial që kanë raportuar nga veriu i vendit, me ç ‘rast është rrezikuar jeta dhe shëndeti i gazetarëve, ku janë regjistruar edhe dëme tjera materiale në automjete dhe pajisje. Më tej ai theksoi se gazetarëve që kanë raportuar nga këto komuna, nuk u është garantuar siguri për punën e tyre, as nga organet vendore dhe as nga ato ndërkombëtare.

Gjithashtu ai shtoi se gazetarët dhe mediumet nuk paralajmërohen dhe nuk informohen nga organet e sigurisë për rreziqet që mund tu kanosen gjatë raportimit nga këto komuna.

Avokati i Popullit theksoi se parakusht për ekzistimin e lirisë së shprehjes është garantimi i sigurisë së gazetarëve nga kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre, si dhe mospengimi në ushtrimin e lirë të profesionit, andaj ky garantim përbën bazë fondamentale të zhvillimit të demokracisë dhe jetësimit të të drejtave të njeriut në vend.

Avokati i Popullit, rikujton se është detyrim i veçantë i shtetit të garantojë në mënyrë efikase lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, obligimet e kësaj natyre duhet të kenë qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për punën e gazetarëve. Avokati i Popullit kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sigurinë e gazetarëve ta ketë në prioritet të punës së saj.