Avokati i Popullit dhe UN Women vizitojnë kompaninë KEDS
Prishtinë, 15 qershor 2023 – Avokati i Popullit me bashkëpunëtorë dhe me përfaqësueset e UN Women, realizoi vizitë në Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
Kjo vizitë u realizua në kuadër të aktiviteteve të Task Forcës Avokuese mbi Standardet e Ndjeshme Gjinore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e cila si qëllim kryesor ka avokimin për përmbushjen e të drejtave të punonjësve nga perspektiva gjinore në marrëdhënien e punës, dhe respektimin e shumë faktorëve që i sigurojnë punonjësve një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në vendin e punës.
Ata u priten nga Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it z. Alpin Doğan i cili e njoftoi për së afërmi Avokatin e Popullit me masat dhe parimet e instaluara në kuadër të KEDS sa i përket përfaqësimit gjinor në nivelet drejtuese, barazinë në vendin e punës, shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e punëtorëve, ambientet e përshtatshme të punës, vlerësimin e riskut, programet e edukimit dhe trajnimeve për avancimin në karrierë .
Në kuadër të kësaj vizite, Avokati i Popullit vizitoi edhe punonjësit e Departamenteve e funksionale në kuadër të KEDS, si: Departamentin e PR, Departamenti i Operimit dhe Sistemit të Operimit, Buxhetit, Prokurimit, Qendrën e Thirrjeve, Tregtimin e Energjisë dhe Shërbimin me konsumatorë, Zonën e Energjisë etj.
Në kuadër të vizitave me natyrë të ngjashme, Avokati i Popullit do të vizitojë edhe biznese të tjera në vend.