Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit për Ditën Botërore të Mjedisit

05/06/2023

Prishtinë, 5 qershor 2023 – Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, Avokati Popullit, rithekson rëndësinë e angazhimit të institucioneve publike në vend, për ndërmarrjen e veprimeve dhe masave të domosdoshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, në mënyrë që qytetarëve të vendit t’u sigurohet një mjedis jetësor i pastër, i shëndetshëm dhe i qasshëm për të gjithë, pa dallim.

Viti 2023 shënon 50 vjetorin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, i cili këtë vit  fokusohet në zgjidhjet e ndotjes plastike, dhe ndikimin e saj në shëndet, ekonomi dhe mjedis.

Edhe pse mbrojtja e mjedisit është renditur ndër vlerat në të cilat bazohet rendi kushtetues i vendit tonë, duke qenë se mjedisi paraqet faktor kryesor që ndikon në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve, mund të vlerësohet se vendi ynë akoma përballet me probleme të ndryshme mjedisore, të cilat nuk kanë arritur të gjejnë trajtim adekuat nga institucionet përgjegjëse.

Shqetësuese vazhdon të mbetet kualiteti i dobët i ajrit dhe ndikimi i saj në shëndetin e qytetarëve; degradimi, ndotja, betonimi dhe ndryshimi pa kriter i tokave; mangësitë në menaxhimin e deponive ilegale;  menaxhimi i zhurmës; mangësitë në informim dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes lidhur me çështjet mjedisore; degradimi i lumenjve; mos arritja e vënies në kontroll e përputhshmërisë së objekteve ndërtimore në ndërtim dhe të atyre të përfunduara, me lejet e ndërtimit; zvarritja e procedurave të lëshimit të lejeve/certifikatave të përdorimit si edhe qasja në drejtësi apo zvarritjet e proceseve të iniciuara në prokurori dhe gjykata lidhur me çështjet mjedisore.

Avokati i Popullit, sjell në vëmendje se në veçanti duhet të punohet në përmirësimin e hapësirave publike dhe eliminimin e barrierave fizike të qasjes në mjedis, për të siguruar lëvizje të lirë dhe të papenguar në hapësirat publike për të gjithë qytetarët, e në veçanti për personat me aftësi të kufizuara.

Avokati i Popullit fton të gjitha institucionet përgjegjëse që të orientojnë politikat e veprimit në ndërmarrjen e hapave konkrete për promovimin e krijimit të një mjedisi të shëndetshëm dhe të qasshëm për të gjithë. Avokati i Popullit është vazhdimisht i angazhuar në trajtimin e çështjeve mjedisore të ndryshme dhe promovimin e respektimit të së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.