Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – Përfshirje, e çdo fëmije

01/06/2023

Prishtinë, 1 qershor 2023 – Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve për përgjegjësitë dhe obligimet kushtetuese dhe ligjore për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar respektimin e plotë të të drejtave të fëmijëve.

Përkundër të arriturave, duhen të bëhen më shumë përpjekje për të krijuar një vend ku fëmijët do të rriten, zhvillohen dhe edukohen në një ambient të sigurt, duke ofruar po ashtu të gjitha mundësitë për një të ardhme me perspektivë dhe me rritje të mirëqenies sociale.

Situata vazhdon të mbetet shqetësuese për moszbatimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e fëmijës, me theks të veçantë për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ata fillojnë jetën e tyre duke u varur nga të rriturit, respektimi dhe realizimi i të drejtave të tyre është thelbësor që ata të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.

Në këtë ditë të veçantë për fëmijët, ndër të tjera, është e rëndësishme që të gjitha autoritetet duhet të reflektojnë për rëndësinë që ka gjithë përfshirja në arsim dhe në rritje të cilësisë së saj, e po ashtu të rrisin vigjilencën për eliminimin e dukurive negative nëpër shkolla, siç është dhuna ndërmjet fëmijëve.

Avokati i Popullit zotohet se do të vazhdojë të jetë i përkushtuar që nëpërmjet ushtrimit të mandatit të tij të jetë fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, duke e gjetur atë si një mik të tyre, i gatshëm për të bashkëpunuar dhe të dëgjoj zërin e tyre.