
U mbajt tryezë diskutimi për të drejtat e njeriut në institucionet e shëndetit mendor
Prishtinë, 31 maj 2023 – Avokati i Popullit organizoi një tryezë diskutimi për të drejtat e njeriut në institucionet e shëndetit mendor dhe institucioneve korrektuese ku u diskutua për sfidat me të cilat përballen këto institucione për trajtimin e personave me çrregullime mendore.
Në këtë tryezë, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi të gjeturat nga monitorimi i të drejtave të personave me probleme të shëndetit mendor nga vizita e Mekanizmit Kombëtar për parandalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) dhe Klinikës Psikiatrike dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve (DSHB) të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ai theksoi shqetësimin e tij lidhur me të gjeturat nga këto vizita, sidomos me kushtet e trajtimit, mungesës së protokoleve, zbrazëtisë ligjore, për paqartësinë e statusit të Institucionit të Psikiatrisë Forenzike, mungesë kapacitetesh dhe hapësirave të pamjaftueshme dhe kushte jo të mira të akomodimit që nuk janë në përputhje me standardet, si dhe aspekte tjera që mund të cenojnë të drejtat dhe liritë e personave që kanë nevojë për trajtim të pavullnetshëm psikiatrik. Me këtë rast, ai theksoi rëndësinë që ka bashkërendimi dhe koordinimi i të gjitha institucioneve me qëllim që gjendja të ndryshohet.
Të pranishmit theksuan rëndësinë dhe rolin që ka ky takim dhe për raportet e Avokatit të Popullit. Ata konstatuan se ballafaqohen me sfida e vështirësi të shumta në trajtimin e këtyre rasteve, duke theksuar si konkluzion të përbashkët se niveli i demokracisë së një vendi matet edhe nga respektimi i të drejtave dhe lirive të personave me crregullime mendore të privuar nga liria.
Ministri i Shëndetësisë z. Arben Vitia i cili, ndër të tjera, tha se ministria i kushton shumë vëmendje zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Ai shtoi se masat që po i ndërmerr ministria e shëndetësisë si në plotësimin e kornizës ligjore ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe krjimin e kushteve për trajtim të personave me çrregullime mendore sipas standardeve.
Zëvendës ministri i drejtësisë, z. Blerim Sallahu tha se ministria ka ndërmarrë disa veprime në drejtim të përditësimit dhe avansimit të programeve rehabilituese të institucioneve korrektuese, si dhe kanë planifikuar veprime të nevojshme për shtim të kapaciteteve me qëllim që personat e privuar nga liria të trajtohen pa vonesa.
Pjesëmarrës tjerë në këtë takim ishin edhe përfqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Instituti i Psikiatrisë Forenzike, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, përfaqësues nga shoqëria civile dhe nga Këshilli i Europës. Të gjithë të pranishmit në diskutimet e tyre paraqiten sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen e gjithashtu propozuan ndërmarrjen e veprimeve konkrete me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë fushë.
Feride Rushiti, drejtore e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dhe Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), prezantuan shqetësimet e ngritura ndër vite nga shoqëria civile për fushën e shëndetit mendor në përgjithësi, e në veçanti për trajtimin e personave me çrregullim mendor të privuar nga liria, dhe personave që në mënyrë të pavullnetshme trajtohen në institucionet e shëndetit mendor. Ata theksuan se është shumë e rëndësishme që rekomandimet e Avokatit të Popullit të zbatohen nga autoritetet kompetente.
Në përmbyllje të këtij takimi, Avokati i Popullit paraqiti në mënyrë të përgjithshme konkluzionet duke njoftuar të pranishmit se për këto çështje do të del me një raport të veçantë.