Featured Image

Komiteti drejtues përmbyll projektin e BE-së për Institucionin e Avokatit të Popullit

18/05/2023

Prishtinë 18 maj 2023 – U mbajt takimi përmbyllës i komitetit drejtues të projektit “Mbështetja e BE-së për Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë”.

Projekti ka filluar në vitin 2019 dhe për qëllim ka pasur përmirësimin e kapaciteteve të IAP-së dhe zhvillimin e veglave dhe metodave të reja duke mbështetur Avokatin e Popullit në mbrojtje dhe promovim efektiv të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Avokati i Popullit, z. Qelaj tha se institucioni ka përfituar shumë nga ky projekt duke konstatuar, ndër të tjera, se angazhimi i ekspertëve dhe konsulentëve në shumë fusha, ka ndikuar në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të stafit të IAP-së.

“Projekti na mundësoi ngritje të kapaciteteve me përfshirjen e praktikave të mira dhe qasje në tjetër dimension sa i përket bashkëpunimit me institucionet tjera, që kanë ndikim në respektimin e autoritetit të avokatit të popullit që matet nga niveli i zbatueshmërisë  së rekomandimeve  tona,” tha z. Qelaj.

Në takimin përmbyllës mori pjesë edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori z. Tomas Szunyog, i cili tha se zyra e BE-së do ë vazhdojë të kontribuojë në përparimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Ne e kuptojmë rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe u bëjmë thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime për këto rekomandime dhe të bashkohen me ne në përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të të drejtave të njeriut në Kosovë”, tha z. Szunyog.

Udhëheqësi i projektit, z. George Tugush paraqiti raportin për punën dhe aktivitetet e projektit e cila ishte e ndarë në katër shtylla: i) zhvillimi i kapaciteteve institucionale të IAP në fushat thelbësore, ii) fuqizimi i administratës dhe menaxhmentit, iii) fushatat vetdijësuese për rolin dhe rëndësinë e institucionit, dhe iii) ofrimi i ndihmës për zyrën e prokurimit për furnizimet teknike, kryesisht të teknologjisë informative.

“Mendoj se kemi pasur ndikim pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm në Institucionin e Avokatit të Popullit, dhe të hollat që janë dhënë për këtë projekt, janë shfrytëzuar në mënyrë sa më efikase të mundshme,” tha Tugush.

Ai po ashtu foli për organizimin e trajnimeve, seminareve dhe konferencave, e po ashtu edhe vizita studimore dhe raportet me rekomandime nëpër fusha të caktuara sipas nevojave të identifikuara.

Financimi i këtij projekti është bërë nga fondet e IPA-së të BE-së, në vlerë prej rreth 2.7 milionë euro, ndërsa zbatimin e projektit e ka udhëhequr DAI Global Austria GmbH & Co KGs.