Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë
Prishtinë, 17 maj 2023 – Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Avokati i Popullit thekson rëndësinë e kësaj dite për të shprehur përkushtimin dhe solidaritetin me komunitetin LGBTQI+, duke rikonfirmuar angazhimin e tij për të mbrojtur, avancuar dhe avokuar në favor të të drejtave të tyre.
Avokati i Popullit konstaton se përkundër progresit që është shënuar në vend, pjesëtarët e komunitetit LGBTQI+ vazhdojnë të jenë të diskriminuar si rezultat i paragjykimeve dhe stigmatizimit, dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Nën moton e sivjetme “Së bashku gjithmonë: Të bashkuar në Diversitet”, Avokati i Popullit rikujton që të gjithë qytetarët e këtij vendi janë të barabartë dhe se shteti e ka për detyrë që t’i mbrojë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në shënim të kësaj dite, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e qeverisë dhe të autoriteteve tjera publike, për detyrimin që kanë në mbrojtje nga diskriminimi për grupet e cenuara dhe marrjen e masave ligjore për njohjen e të gjitha të drejtave të garantuara me kushtetutë.