Featured Image

Tryezë diskutimi e Avokatit të Popullit lidhur me personat me çrregullime mendore

02/05/2023

Prishtinë, 2 maj 2023 – Është mbajtur takimi mes Avokatit të Popullit, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, Akademisë së Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimit Korrektuese të Kosovës, Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Departamentit Shëndetësor  të Burgjeve dhe Këshillit të Evropës.

Takimi kishte për qellim diskutimin e sfidave me të cilat po ballafaqohen të gjitha institucionet për trajtimin e personave me çrregullime mendore, si kategori më e ndjeshme e shoqërisë. Më tej në takim është diskutuar lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetin Mendor, të Ligjit për Procedurën Jokontestimore dhe të Statusit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, me qellim të mbrojtjes së të drejtave të personave me çrregullime mendore dhe bashkëpunimit të mirëfilltë ndërinstitucional.

Në fund të takimit, të pranishmit janë njoftuar nga Avokati i Popullit se shumë shpejt do të organizohet një konferencë ku do të prezantohen të gjetura e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të torturës i Avokatit të Popullit, si dhe do të jetë diskutim i hapur për të pranishmit, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e duhur për trajtimin dhe respektimin e të drejtave të personave me çrregullimet mendore.