Institucioni i Avokatit të Popullit publikoi raportin me rekomandime “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues”
Prishtinë, 14 prill 2023 – Institucioni i Avokatit të Popullit publikoi raportin me rekomandime Ex Officio nr. 577/2021, përkitazi me “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues”.
Ky raport është rezultat i një hetimi të përgjithshëm në lidhje me të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues dhe ka pasur për bazë dëshmi të drejtpërdrejta nga gra dhe vajza, që potencialisht u janë cenuar të drejta që drejtpërdrejtë apo tërthorazi lidhen me aspektet që ka vënë në fokus hetimi në fjalë.
Metodologjia e punës për realizimin e këtij hetimi është hartuar duke u bazuar në Udhëzuesin në mbështetje të Institucioneve Kombëtare për të Drejta të Njeriut (©UNFPA, 2015) dhe me mbështetjen e Zyrës së UNFPA në Kosovë.
Hetimi është shtrirë në zonat rurale e urbane, në shtatë regjionet e vendit dhe është bazuar në dëshmi të drejtpërdrejta nga gra dhe vajza, që potencialisht u janë cenuar të drejta që kanë të bëjnë me Shëndetin Seksual dhe Riprodhues. Po ashtu, gjatë Hetimit vëmendje e veçantë është mbajtur për nevojat e grupeve të veçanta të cenueshme: personat me aftësi të kufizuara, komunitetet etnike, personat me status ekonomik e social të margjinalizuar.
Gjetjet e raportit tregojnë se situata është shqetësuese në disa sektorë në lënien pas dore të shëndetit riprodhues dhe seksual, sidomos në drejtim të qasjes, të vetëdijesimit, të ofrimit të shërbimeve, trajtimit pa diskriminim por edhe të nivelit ose të përgatitjes, ose profesionalizmit të ofrimit të shërbimeve që në raste të caktuara mungojnë.
Hetimi nacional për të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues si dhe lansimi në publik i raportit me rekomandime është mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), zyra në Kosovë.
Lexoni raportin e plotë -> https://bit.ly/3ofgYzr