Featured Image

Avokati i Popullit priti në takim Raportuesen Speciale të OKB-së për Liri të Shprehjes

Prishtinë
03/04/2023

Prishtinë, 4 prill 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj ka takuar Raportuesen Speciale të OKB-së për Liri të Mendimit dhe Shprehjes, znj. Irene Khan e cila po qëndron në Kosovë në një mision fakt-mbledhës me ekipin e saj.

Avokati i Popullit, z. Qelaj informoi raportuesen në interesimin e saj për punën dhe aktivitetet e Institucionit, mandati dhe kompetencat, se si trajtohen ankesat e qytetarëve, dhe të gazetarëve në veçanti e që ndërlidhen me lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Z. Qelaj theksoi se Kosova ka kornizë të qëndrueshme ligjore që garantojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave, megjithatë ka raportime për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave, për të cilat Avokati i Popullit ka reaguar në disa raste tek autoritetet që të ndërmarrin masa që rastet e tilla të mos përsëriten.

Avokati i Popullit po ashtu theksoi se ka rekomanduar tek institucionet publike që të rrisin efikasitetin duke mos lënë pa ndëshkuar rastet që janë kundër fjalës së lirë. Ai po ashtu tha se institucioni është duke e bërë një hulumtim në lidhje me paraqitjen e gjuhës së urrejtjes në diskursin publik.