Featured Image

Avokati i Popullit po merr pjesë në takimin vjetor të Aleancës Botërore të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë 

15/03/2023

Prishtinë, 15 mars 2023 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, po merr pjesë në Takimin Vjetor të Aleancës Botërore të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (GANHRI), i cili mbledh institucionet e të drejtave të njeriut nga të gjitha anët e globit.

Këtë vit, ky takim shënon 30 vjetorin e Parimeve të Parisit dhe themelimin e rrjetit botëror të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNJ), si dhe 75 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Takimi kishte thirrje thelbësore adresimin e të drejtave të njeriut që kërkojnë intervenim të shpejtë në fokus të veprimeve të IKDNJ-ve, që janë të themeluara dhe ushtrojnë rolin e tyre në pajtueshmëri me standardet e vendosura me Parimet e Parisit.

Ky takim vjetor është një mundësi reflektimi për gjendjen e tanishme të të drejtave të njeriut dhe për rëndësinë e Deklaratës Universale. Në kontekstin e tanishëm, ofron platformë globale për të shpërfaqur përvojat dhe kontributin e IKDNJ-ve në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe aktivitetet, prioritetet dhe nevojat për zbatimin e mandatit në pajtueshmëri me Parimet e Parisit.

Pjesëmarrja e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës në këtë takim, veç të tjerash, i ka mundësuar edhe takime me homologë nga mbarë bota dhe bashkëbisedim për çështje relevante ndërsjellazi.

Alenaca Botërore e Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut- GANHRI (Global Alliance of National Human Rights Institutions), është organizatë ndërkombëtare e institucioneve që merren më të drejtat e njeriut, e cila vepron nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Ajo promovon dhe fuqizon këto institucione, në mënyrë që të jenë në pajtueshmëri me Parimet e Parisit, udhëheqë promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shërben si zë kolektiv, i rëndësishëm dhe konstruktiv në adresimin e ndikimit të krizave të sotme komplekse dhe të shumta me të cilat përballet bota në të drejtat e njeriut.