Avokati i Popullit takoi qytetarët e komunës së Leposaviqit
Prishtinë, 9 mrs 2023 – Avokati i Popullit takoi të enjten qytetarët e komunës së Leposaviqit me të cilët ka diskutuar tema të ndryshme, e posaçërisht në lidhje me situatën e krijuar pas dorëheqjeve të zyrtarëve të komunitetit serb nga organet e administratës lokale publike.
Qytetarët ngritën shqetësimet e tyre sa i përket situatës së sigurisë dhe rreth shpronësimit të disa pronave dhe kundërshtimit që po i bëjnë qytetarët këtij procesi.
Këta qytetarë kanë bërë ankesë tek Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në lidhje me procesin e shpronësimit të disa parcelave në lokacione të ndryshme në veri të vendit.
Banorët pretendojnë se tokat e tyre pa asnjë paralajmërim po shpronësohen ndërsa në atë pjesë është bërë plani për të ndërtuar stacionin policor, në fshatin Dren të Leposaviqit.
Z. Qelaj theksoi në Leposaviq se zyra e tij ka pranuar tri ankesa, dhe ka dashur që t’i takojë banorët e kësaj ane për t’i dëgjuar nga afër dhe të diskutojë me ta për ankesat e tyre. Më 16 janar, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publike të pronave të paluajtshme duke i konsideruar ato si zona me interes publik. Këto zona kadastrale gjenden në fshatrat Dren e Leshak, në Komunën e Leposaviqit.
Në këtë takim mori pjesë edhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe avokati që përfaqëson qytetarët në këtë rast, Nebojsha Vllajiq.
Në lidhje me pretendimet e qytetarëve për rrahjen e dy të rinjve nga ana e policisë, z. Qelaj tha se çdo tejkalim i autorizimit, keqtrajtimit apo çdo veprim tjetër që shkel të drejtat e njeriut, është i papranueshëm për të, dhe do ta adresojë si shkelje tek autoritetet përgjegjëse.