
Avokati i Popullit takoi banorët e fshatit Gremnik
Prishtinë, 9 mars 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj vizitoi fshatin Gremnik të komunës së Klinës ku takoi banorët e asaj ane, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një fabrike të çimentos në afërsi të fshatit të tyre.
Ankesa e tyre kundër Komunës së Klinës, ka të bëjë me kërkesën e tyre për mos-ndërtimin e fabrikës së çimentos në lokalitetin Dollc, Dresnik dhe Gremnik në Komunën e Klinës, për shkak të afërsisë së parcelave me zonën urbane (qyteti i Klinës) dhe fshatrave të tipit të grumbulluar.
Operimi i këtyre gurorëve, për furnizim me lëndë të parë për fabrikën e çimentos, qytetarët e konsiderojnë të dëmshme për shëndetin e banorëve, degradimin mjedisor, shkatërrimin e florës dhe faunës, burime të shumta ujore nëntokësore dhe trashëgiminë kulturore. Banorët po ashtu theksuan se kanë qenë në mungesë informimi nga komuna për mbarëvajtjen e procedurave përkitazi me çështjen.
Z. Qelaj tha se arsyeja e vizitës së tij është për të dëgjuar nga afër problemet dhe ankesat e banorëve të këtij fshati. Ai shtoi se është me rëndësi që kur autoritetet marrin vendime të natyrës me interes të përgjithshëm e që i prekin çështjet mjedisore, ti respektojnë kriteret, transparencën, qasjen në dokumente publike, diskutimet publike, të respektohet interesi i përgjithshëm i komunitetit, si dhe të kihet parasysh respektimi i procedurave të përcaktuara me ligje të veçanta.
Pas diskutimit, Avokati i Popullit së bashku me banorët vizituan vendin ku planifikohet të ndërtohet fabrika e çimentos.