Featured Image

Deklarata  e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

08/03/2023

Prishtinë, 8 mars 2023 – Me rastin e shënimit të 8 marsit, Ditës së Gruas, Avokati i Popullit vë në theks kontributin e grave dhe vajzave në të gjitha fushat në zhvillimin e vendit tonë, duke treguar fuqinë e tyre për ndryshimet pozitive në shoqëri dhe familje.

Pozita e gruas sot ka avancuar në të gjitha aspektet, megjithatë  gratë dhe vajzat në vendin tonë vazhdojnë të jenë të diskriminuara.

Dhuna në familje, ku gratë dhe vajzat janë viktima, po vazhdon të jetë një problem shqetësues në shoqërinë tonë. Vetëm vitin e kaluar janë vrarë katër gra si pasojë e dhunës në familje. Rastet e hetuara tregojnë se kjo po ndodh për shkak të dështimit të shtetit me i marr të gjitha masat e përshtatshme dhe me i përmbush detyrimet pozitive për mbrojtjen e të drejtës në jetë dhe mbrojtjes nga dhuna në familje. Përmasat me të cilat po shpërfaqet dhuna në familje, tregon më së miri urgjencën për mobilizim të përgjithshëm shoqëror për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, e cila po vazhdon të merr jetë të viktimave të pafajshme.

Sfidë tjetër e grave është pjesëmarrja e ulët e tyre në tregun e punës, në jetën politike dhe vendimmarrje, në pronë dhe trashëgimi, në fushën e arsimit, shëndetësisë si dhe në ndarjen e përgjegjësive në familje. Këta janë tregues se gratë në vendin tonë vazhdojnë të jenë në një pozitë më pak të favorshme se sa burrat.

Gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me praktika të heqjes dorë nga trashëgimia. Në të shumtën e rasteve ato heqin dorë nga trashëgimia në favor të trashëgimtarëve burra, kjo praktikë bazohet kryesisht në normat zakonore,  paragjykimeve që ju bëhet grave dhe vajzave  kur trashëgojnë dhe mentalitetit i cili konsideron burrat si trashëgimtarë të vetëm të pasurisë së familjes. Korniza aktuale legjislative për trashëgimi dhe masat afirmative janë të  pamjaftueshme që kjo gjendje të ndryshohet.

Avokati i Popullit bën thirrje për të gjithë që të kontribuojnë në arritjen e barazisë gjinore si një nga objektivat kryesore dhe prioritet për zhvillimin e çdo shoqërie moderne demokratike, në të cilën të gjithë anëtaret dhe anëtarët e saj trajtohen në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.