
Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e shoqërisë civile të Mitrovicës së Veriut
Prishtinë, 2 mars 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut.
Avokati i Popullit në këtë takim theksoi rëndësinë që kanë vizitat e kësaj natyre me qëllim të informimit me gjendjen e të drejtave të njeriut në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës. Ai tha se gjatë vitit 2022, Avokati i Popullit ka pranuar 77 ankesa nga komunitetet jo-shumicë.
Në këtë takim, të pranishmit adresuan çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Ata u interesuan për veprimit që po ndërmerr Avokati i Popullit me qëllim të adresimit të disa kërkesave që lidhen me kompensimin e familjeve që kanë humbur anëtarët e tyre gjatë pandemisë për shkak të COVID-it, shqetësimet e ngritura nga banorët e Leposaviqit për procesin e shpronësimit të pronave private, vështirësitë që kanë qytetarët për pajisje me dokumente personale, gjuhën e urrejtjes me motive etnike, problemet me gëzimin e të drejtave pronësore dhe çështje tjera.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në fund të këtij takimi edhe njëherë ritheksoi nevojën e rritjes të bashkëpunimit me shoqërinë civile që punon në këto komuna, në trajtimin e çështjeve të ngritura por edhe tema tjera që do të ndikojnë në përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut në vend.