Featured Image

Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me Asamblenë Komunale të Fëmijëve të Prishtinës

28/02/2023

Prishtinë, 27 shkurt 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në takimin me fëmijë të grupit Asambleja Komunale e Fëmijëve Prishtinë, në temën “Të drejtat e fëmijëve dhe barazia gjinore”.

Avokati i Popullit u shpjegoi fëmijëve rolin dhe mandatin e tij, punën dhe aktivitetet ditore në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe procedurat e ankesave që mund të kenë fëmijët. Ai tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka një departament të veçantë që punon për të drejtat e fëmijëve, që nga promovimi dhe mbrojtja, e deri në hetimin e ankesave.
Z. Qelaj shpjegoi se IAP ka pranuar 77 ankesa gjatë vitit 2022, me pretendime për shkelje të të drejtave të fëmijëve. Ai foli për të drejtën e fëmijës në arsim, sfidat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara, të drejtat e fëmijëve në procedurat e organeve gjyqësore, mbrojtja sociale dhe shëndetësore e fëmijëve e të tjera.
Takimi pasoi me pyetje të ndryshme të pjesëmarrësve. Ky takim u organizua nga zyrtarja për koordinimin e të drejtave të njeriut në Komunën e Prishtinës, znj. Premtime Preniqi dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, si pjesë e projektit “Përfshirja e fëmijëve si qytetarë aktive në promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe perspektives gjinore”.