Featured Image

Avokati i Popullit priti në takim gjyqtarët dhe prokurorët e rinj

22/02/2023

Prishtinë, 22 shkurt 2023 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim të mërkurën 55 gjyqtarë dhe pesë prokurorë të sapoemëruar, duke iu uruar atyre për detyrën e re dhe iu dëshiroi suksese në misionin e tyre.

Z. Qelaj diskutoi tema të ndryshme me pjesëmarrësit e në veçanti për sfidat e sistemit të drejtësisë dhe sfidat e qytetarëve në realizimin e të drejtave të tyre.

Temë diskutimi po ashtu ishin edhe procedurat e pranimit të ankesave dhe shqyrtimi i tyre nëse ankesat, kërkesat apo njoftimet e pranuara janë brenda kompetencave dhe përgjegjësive të IAP-së.

Më tutje u diskutua edhe për punën dhe aktivitetet e mekanizmit kombëtar për parandalim të torturës, i cili harton dhe publikon raporte me rekomandime, të dala nga trajtimi i ankesave dhe kërkesave dhe vizitave të rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria.

Akademia e Drejtësisë organizon trajnim një vjeçar për gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar, ku krahas trajnimit praktik nëpër gjykata, gjyqtarët të cilët janë duke e ndjekur trajnimin fillestar realizojnë vizita në institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës.