Avokati i Popullit raportoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës për raportin e vitit 2021

18/01/2023

Prishtinë, 18 janar 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj raportoi sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për raportin vjetor 2021. Në vijim është fjalimi i tij i plotë.

Të nderuara deputete, të nderuar deputetë,

Qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese, sot paraqes para jush në mënyrë të përmbledhur raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe ju informoj mbi të gjeturat kryesore sa i përket gjendjes së të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës për vitin 2021.

Raporti paraqet shkallën e respektimit të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në Republikën e Kosovës, në bazë të hetimit dhe të analizimit të rasteve të trajtuara në raport me të gjitha nivelet e pushteteve.

Në vitin 2021 kemi arritur ta shtojmë aktivitetin për të hetuar dhe për t’u rekomanduar autoriteteve publike, përmirësimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë vit, Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar 1,612 ankesa, ndërsa ka hapur 45 raste sipas detyrës zyrtare. Duhet theksuar se nga rastet e hetuara janë adresuar 157 rekomandime.

Në vitin 2021 kemi pasur rritje të konsiderueshme të zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet publike, që arriti në 27%, nga 19% sa ishte në vitin 2020. Mirëpo edhe përkundër kësaj rritje të zbatimit të rekomandimeve, vazhdon të mbetet shqetësuese niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Në vitin 2021, bazuar në rastet që kemi hetuar ka vazhduara të jetë shqetësuese mos respektimi i të drejtave që kanë të bëjnë me:

–         të drejtën në jetë dhe masave të pa mjaftueshme të autoriteteve  për  parandalimin e dhunës ndaj gruas,

–         të drejtën për gjykim të drejtë për  shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësorë,

–          të drejtës për mbrojtje nga diskriminimi për sa i përket trajtimit të barabartë të qytetarëve,

–          të drejtën në pronë për sa i përket pjesëmarrjes së grave në trashëgimi dhe ndarjen e pasurisë,

–         në të drejtën për qasje në mjet efektiv juridik.

Shumë prej rekomandimeve tona përbëjnë zgjidhje që nuk kërkojnë resurse shtesë financiare apo humane, por thjesht respektim të ligjit.

Autoriteteve ua kemi rikujtuar se mos fillimi i zbatimit të një numri ligjesh përbën shkelje të drejtave dhe lirive themelore, duke përmendur këtë rast Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës.

Një ndër problemet më madhore në kuptim të drejtave fondamentale vazhdon të jetë qasja në drejtësi dhe e drejta për gjykim të drejtë për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore, mungesës së një sistemi efektiv të mjeteve juridike gjyqësore, paqartësitë në interpretimin uniform të së drejtës, dhe mungesa e arsyetimit të duhur.

Sa u përket të drejtave të fëmijëve kemi vërejtur se vazhdon të mos ketë një përkushtim të duhur në fushat, si: mbrojtja nga punësimi para moshës së lejuar, mbrojtja e fëmijëve nga kërkimi i lëmoshës në rrugë, ruajtja e fëmijëve nga dhuna në familje dhe  integrimi i duhur social i tyre.

Disa prej ligjeve që ishin proceduar për ndryshim, si: Ligji për Shërbime Sociale dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, e të cilat ndikonin pozitivisht në të drejtat e fëmijëve, nuk ishte arritur të miratoheshin. Po ashtu kemi vërejtur se janë nxjerrë vetëm 2 nga 18 aktet nënligjore që i përcakton Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës.  Ndërsa në  raportin e veçantë lidhur me emergjencën shëndetësore në periudhën e pandemisë  kemi konstatuar se nuk ka pasur një strategji mbështetëse gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuar, ka munguar trajtimi i duhur shëndetësor.

Gjithashtu duhet të përmendet mungesa e përmbushjes së detyrimeve nga komunat, sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, sa i përket themelimit të ekipeve komunale profesionale për vlerësim dhe përkrahje të personave me aftësi të kufizuara.

Gjatë vitit 2021 kemi adresuar shumë rekomandime për ta përmirësuar gjendjen e të drejtave të fëmijëve, kryesisht për ngritjen e efektivitetit në zbatimin e detyrimeve ligjore, për harmonizimin e akteve juridike sa u përket kolizioneve që e pamundësonin zbatimin koherent të tyre dhe mosveprimin e autoritetit publik për t’i nxjerrë aktet përkatëse nënligjore që përbëjnë detyrim ligjor.

E drejta për mos diskriminim vazhdon t’u mohohet shumë kategorive të qytetarëve, sidomos atyre që janë me status më të rënduar social dhe ekonomik, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar dhe shumë grupeve të tjera shoqërore. Në kemi vërejtur mangësi serioze në të kuptuarit dhe në të zbatuarit të parimeve të Ligjit kundër Diskriminimit, në të dyja nivelet e pushtetit.

Dukuri të tilla janë kryesisht rezultat i mungesës së kapaciteteve humane e financiare, të praktikave të pabazuara në procedura transparente dhe të mungesës së vetëdijes për zbatimin e parimeve të legjislacionit të fushës. Kësaj gjendjeje i kontribuon edhe mungesa e një praktike të duhur gjyqësore.

Një nga çështjet më serioze të diskriminimit është pamundësia e autoritetit publik për t’u garantuar personave me aftësi të kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes së lirë, të së drejtës së tyre për privatësi, të së drejtës së tyre për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Kemi konstatuar se nuk janë duke u respektuar kriteret sipas Udhëzimin Administrativ për Kushtet Teknike të Objekteve Ndërtimore për Qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Diskriminim vazhdon të ketë edhe në fushën e së drejtës së gruas për barazi para ligjit. Kjo pabarazi është e shprehur në aspekte, siç janë: pjesëmarrja e grave në ndarjen e pasurisë në trashëgimi, pjesëmarrja e tyre në tregun e punës, në jetën politike dhe në vendimmarrje, në fushën e arsimit, të shëndetësisë.

Në ushtrimin e mandatit si Mekanizëm Nacional i Parandalimit të Torturës, kemi realizuar vizita të rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria dhe kemi konstatuar se vazhdon të jetë problem dukuria e korrupsionit dhe e incidenteve fizike ndërmjet të burgosurve, dhe për të gjitha të gjeturat nga këto vizita autoriteteve u kemi adresuar rekomandime.

Vlerësoj trendin pozitiv të rritjes së vetëdijes së qytetarëve, të mediave, të shoqërisë civile dhe në përgjithësi të popullatës për rëndësinë e mjedisit në jetën e përditshme, në shëndetin dhe në politikëbërjen publike në përgjithësi.

Megjithatë, autoritetet publike vazhduan të mos i jepnin rëndësi vlerësimeve mjedisore për hidrocentralet, për depot e mbeturinave, për shkatërrimin e bazës së lumenjve, për zhvillimin e pakontrolluar të industrisë së gurëthyesve etj.

Më 9 nëntor 2021 kam vizituar Dhomat e Specializuara dhe të paraburgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Gjatë kësaj vizite kam takuar të paraburgosurit, përveç, z. Sali Mustafa, për të cilin kishte masë kufizimi dhe nuk i lejohej të kishte vizita, përveç familjes së tij. Në këtë rast të paraburgosurit kanë shprehur shqetësimin e tyre: për mosrespektimin e parimit të barazisë së armëve gjatë procesit gjyqësor; për kohëzgjatjen e paraburgimit; për mungesën e mbikëqyrjes për të drejtën në mjet efikas juridik, duke aluduar në faktin se gjykata funksionon si një strukturë dhe nuk ka shkallëzim të shprehur për shqyrtimin efikas të mjeteve juridike; për vonesën e përkthimeve në gjuhën shqipe të procesverbaleve të seancave gjyqësore; për redaktimin e aktakuzës dhe të materialeve të tjera, që ua mohon të drejtën t’i kenë në kohë të gjitha provat dhe informatat në gjuhën që e kuptojnë, etj.

Në vitin 2021 kemi publikuar Raportin mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në të drejtat e njeriut, ku në përgjithësi kemi gjetur se kufizimet nga autoritetet publike për ta parandaluar dhe luftuar përhapjen e pandemisë kanë ndikuar negativisht te një numër të drejtash të njeriut, përfshirë: lirinë e lëvizjes, të drejtën në punësim, të drejtën në arsim, të drejtën për qasje në gjykatë etj. Gjithashtu në raport është konstatuar se masat e kufizimit për parandalimin e pandemisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin mendor në përgjithësi.

Në këtë periudhë kemi konstatuar se ka pasur rritje të numrit të rasteve të raportuara për dhunë në familje.

Është konstatuar se masat mbështetëse për tejkalimin e pandemisë ishin të pamjaftueshme për grupet e ndjeshme dhe me pozitë të ndjeshme sociale.

Për vëmendjen tuaj ritheksoj se konstatimet dhe rekomandimet që kam adresuar përgjatë këtij viti janë përpjekje e vazhdueshme që në thelb kanë respektimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Prandaj, në këtë kontekst, shpresoj se këto konstatime dhe rekomandime, të paraqitura në këtë Raport, do ta marrin vëmendjen e merituar të autoriteteve, në mënyrë që ky dokument të jetë një udhëzues për orientimin e politikave të funksionimit të shtetit, në pajtim me parimin e respektimit të të drejtave të njeriut, të barazisë, të epërsisë së sundimit të ligjit, të transparencës, të llogaridhënies, si vlera të demokracisë.

Unë do të vazhdoj të jem një zë kritik, por i arsyeshëm, që nëpërmjet zgjidhjeve të ofruara të ushtroj mandat substancial për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në republikën tonë.