Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në Kongresin Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuar

08/12/2022

Prishtinë, 8 dhjetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në Kongresin Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuar, organizuar në Prishtinë nga Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovë në IHRC, znj. Elvana Shala, me pjesëmarrje nga shumë shtete të botës.

Avokati i Popullit ishte pjesë e panelit ku u diskutuar për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe përfshirja e tyre në edukim dhe në shoqëri. Z. Qelaj tha se fëmijët me aftësi të kufizuara i përkasin një prej grupeve më të rrezikuar të fëmijëve dhe se në përgjithësi ende përballen me vështirësi në gëzimin e të drejtave. Pengesat më specifike janë mungesa e fondeve, e ekspertizës dhe e shërbimeve të specializuara mbështetëse.

Ai tha se në vitet e fundit Kosova po synon që të zbatojë një model social të aftësisë së kufizuar ku pengesa nuk shihet në vetë aftësinë e kufizuar, por në një kombinim të pengesave sociale, kulturore dhe fizike me të cilat ndeshen fëmijët me aftësi të kufizuara në jetën e tyre të përditshme.

“Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara nuk është direkt e aplikueshme në vend, dhe ka vite që i kam rekomanduar Kuvendit të Kosovës amendamentimin e Kushtetutës që të përfshihet edhe kjo konventë,” tha Avokati i Popullit.

Ai tha se në krahasim me 10 vitet e fundit është shënuar përmirësim i dukshëm në fusha. Megjithatë, nënvizoi ai, vetëdijesimi për intervenim të hershëm ende është shumë i ulët dhe për rolin e mësimdhënësit mbështetës. Ai shtoi se duhet të ketë më shumë trajnime informative me prindërit dhe akterë të arsimit, duke i kushtuar rëndësi sa duhet organizimit të fushatave për punësim për personat me aftësi të kufizuar.