Avokati i Popullit takoi qytetarët e komunës së Novobërdës
Prishtinë, 1 dhjetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë të komunës së Novobërdës, ku prezent ishte edhe kryetari i komunës, z. Sasha Millosheviq. Punëtorinë e hapi drejtori i OJQ-së “Advancing together”, z. Bashkim Ibishi, organizatorët e takimit që për qëllim ka ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve komunal dhe përfaqësuesve të komuniteteve për të qenë më aktiv në angazhimin e komuniteteve në projekte të ndryshme. Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarët e qendrës për punë sociale për këtë komunë.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se është me rëndësi që bartësit e institucioneve me qenë afër qytetarëve si një mënyrë e mirë për të dëgjuar më për së afërmi për sfidat dhe problemet që ata përballen. Ai foli për të drejtat që gëzojnë qytetarët për një jetë aktive por edhe për përgjegjësitë dhe obligimet e komunave për krijimin e mundësive.
Z. Qelaj shtoi se edhe mirëqenia e qytetarëve është një prej obligimeve të institucioneve lokale dhe qendrore, duke theksuar që mungesa e buxhetit dhe kapaciteteve tjera nëpër komuna po e vështirësojnë situatën. Ai po ashtu tha se mungesa e punësimit është një ndër çështjet më të theksuara, por po ashtu duhet të punohet më shumë edhe në ofrimin e cilësisë për arsim dhe shëndetësi. Ai nënvizoi se qytetarët e kësaj zone të bukur mjedisore duhet të marrin pjesë në diskutime sa herë që bëhet fjalë për mjedisin, si një përgjegjësi dhe e drejtë e tyre.
Zëvendës Avokatja e Popullit, znj. Anita Çavdarbasha Korenica u shpjegoi pjesëmarrësve rolin dhe mandatin e Avokatit të Popullit, si një mbrojtës dhe promovues i të drejtave të njeriut. Z. Shemsedin Mustafa, këshilltar ligjor në zyrën rajonale të Gjilanit, foli për punën dhe aktivitetet e kësaj zyre, duke theksuar se kjo zyre pret të gjithë qytetarët që kanë ankesa.
Kryetari i komunës, z. Sasha Millosheviq tha se komuna mirëpret idetë dhe projektet nga qytetarët. Ai tha se komuna ka ndarë një shumë prej 270 mijë euro për vitet e ardhshme për të mbështetur idetë për projekte.
Pjesëmarrësit theksuan se punësimi i të rinjve është preokupimi kryesore për ta, ndërsa çështjet si mjedisi dhe mungesa e transportit janë po ashtu tema që ata i konsiderojnë të rëndësishme. Në këtë komunë janë 437 familje që jetojnë me ndihma sociale.