Featured Image

U organizua tryeza në Gjakovë me temë sfidat dhe problemet e komuniteteve të qytetit

23/11/2022

Prishtinë, 23 nëntor 2022 – Zëvendës Avokati i Popullit, z. Niman Hajdari takoi sot përfaqësuesit e shoqërisë civile, qendrës për mbrojtje juridike falas, përfaqësues nga strehimorja për viktimat e dhunës në familje, dhe ata të mediave, në Gjakovë për të diskutuar për sfidat dhe problemet me të cilat jetojnë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në këtë komunë.”.

Në fjalën e tij hyrëse, z. Nimani tha se të drejtat e njeriut tanimë janë bërë punë e secilit në shoqëri, në mënyrë që të ndryshojmë atë për të mirë. Ai shtoi se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) është e hapur gjithmonë për bashkëpunim me të gjithë qytetarët e vendit në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen e të drejtave të njeriut.

Pjesëmarrësit paraqiten disa nga sfidat dhe problemet me të cilat përballen komunitetet pakicë të qytetit të Gjakovës.

Përfaqësuesit e strehimores theksuan se që nga 1 janar 2022 e deri më ditën e sotme, ata kanë strehuar 156 raste të viktimave të dhunës, ndërsa 62 raste përfshijnë nënat dhe fëmijët e tyre nga komunitetet. Ata theksuan se shqetësuese mbetet shtimi i rasteve të dhunë në familje, madje ka edhe raste recidive në strehimoren e tyre.

Në takim u theksua edhe çështja e rregullimit të duhur të prezantimit të përkatësisë etnike të fëmijëve të sapolindur në fletë regjistrim në spital të qytetit. Po ashtu u theksua se gjendja sociale është rënduar duke pasur raste dhe probleme të rritura ndërsa shërbimet sociale që ofrohen janë të pamjaftueshme.

Një përshkrim të shkurtër për mandatin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit e dha z. Mark Kaqinari, këshilltar i lartë ligjor në zyrën e Gjakovës. Ai së bashku me z. Besart Elshani, këshilltar ligjor në IAP, u përgjigjen disa prej çështjeve të ngritura, e për të cilat IAP ka punuar dhe ka nxjerr raporte me rekomandime për autoritetet përgjegjëse.

Këto të dhëna u prezantuan në tryezën “Barazi për të Gjithë”, fushatë të cilën Institucioni i Avokatit të Popullit e organizoi përgjatë tërë vitit. Kjo fushatë u financua nga projekti “Mbështetja e BE-së për Institucionin a Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë”.