Featured Image

U mbajt takimi i dytë i Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

16/11/2022

Prishtinë, 16 nëntor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mirëpriti përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile (OShC) në takimin e dytë të rregullt të punës së Forumit për Dialog mes Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) dhe Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC)

Ky ishte takimi i dytë i rregullt i punës së Forumit për Dialog, për vitin 2022. Gjatë këtij takimi u prezantuan dhe u diskutuan zhvillimet dhe iniciativat e ndërmarra pas takimit të parë të rregullt të Forumit, e cila ishte mbajtur në maj të këtij viti, me ç ‘rast ishin ngritur shumë sfida dhe shqetësime nga sfera e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend, me nevojë të adresimit të tyre në institucionet publike kompetente.

Po ashtu, u prezantuan dhe u diskutuan konkluzionet e Avokatit të Popullit në raport me të gjeturat e Raportit të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut në Kosovë për vitin 2021.

Ndërmjet shumë temave të diskutuara me rëndësi, anëtarët e Forumit ngritën si çështje numrin e ulët të nxënësve me aftësi të kufizuara që gëzojnë mbështetje nga asistentët personal. Çështje tjetër u përmend diskriminimi i personave me aftësi të kufizuara në aktivitetet kulturore, si dhe  gjuha e urrejtjes e përdorur në diskursin publik. Temë tjetër që u diskutua ishte edhe për të drejtat e komuniteteve joshumicë në vend dhe shqetësimet aktuale.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare po ashtu ngritën si shqetësim delegimin e fushave sociale në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë; mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të moshuarve dhe nevojën e mbikëqyrjes së  institucioneve publike dhe private për kujdes të të moshuarve, e po ashtu u diskutuan edhe nismat e fundit legjislative dhe përputhshmëria e tyre me kushtetutën dhe nevoja e ndërmarrjes së veprimeve brenda kompetencave dhe përgjegjësive të Avokatit të Popullit.