Featured Image

Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me personat me aftësi të kufizuar

02/11/2022
Prishtinë, 2 nëntor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj vizitoi të martën organizatën jo-qeveritare “Handikos” ku takoi drejtuesit e organizatës dhe anëtarin e tyre, z. Faruk Kukaj të cilit së fundmi i është miratuar pjesërisht si e bazuar padia e tij nga Gjykata Themelore në Prishtinë për diskriminim në bazë të aftësisë së kufizuar.
Kjo padi është padia e parë në vend që është bërë në bazë të pretendimeve për diskriminim të personave me aftësi të kufizuara, përkitazi me qasje dhe lëvizje të lirë në infrastrukturën publike. Në këtë mënyrë detyrohet e paditura, komuna e Prishtinës, që për shkak të diskriminimit për shkak të mos-veprimit në mungesë të ofrimit të kushteve bazike në hapësirat publike dhe qasjes në objekte publike për personat me aftësi të kufizuara, të kompensojë dëmin e shkaktuar jo-material, në emër të cenimit të dinjitetit.
Avokati i Popullit tha se rasti i z. Kukaj duhet të jetë motivim shtesë për personat e tjerë me aftësi të kufizuara që të kërkojnë drejtësi dhe apriori të krijohen kushtet për marrje të shërbimeve të tyre në mënyrë të dinjitetshme. Ai shtoi se me këtë rast bien shumë detyrime për autoritetet përgjegjëse që të reagojnë dhe të evitohen këto pasoja.
Z. Kukaj tha se është ndjerë i diskriminuar që nga fëmijëria e tij për mungesë të qasjes në objekte publike dhe mori guximin për të paditur komunën e Prishtinës për të ndryshuar situatën. Ai shtoi se të gjithë qytetarët duhet të luftojnë për të drejtat e tyre.
Drejtori i Handikos, z. Afrim Maliqi foli për cenimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar e në veçanti sa i përket qasjes ne infrastrukturë publike dhe lëvizjes së lirë në përgjithësi. Ai shtoi se janë edhe katër qytetarë të tjerë me aftësi të kufizuara që kanë paditur komunën e Prishtinës, që nga viti 2018, konkretisht për qasje në hapësirat publike dhe lëvizje të lirë.
Këshilltari juridik i rastit në Institucionin e Avokatit të Popullit, z. Besart Elshani përshkroi kronologjinë e rastit duke theksuar se rasti është analizuar me kujdes dhe me 2 dhjetor 2021, Avokati i Popullit i dërgoi Gjykatës Themelore në Prishtinë mendimin juridik në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curie).