Featured Image

Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt prezantimi “Të Drejtat e Njeriut në Forcat e Armatosura – Roli i Avokatit të Popullit”

27/10/2022

Prishtinë, 27 tetor 2022 – Në Ministrinë e Mbrojtjes, sot u mbajt prezantimi nga institucioni i Avokatit të Popullit për oficerë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, me temën: “Të Drejtat e Njeriut në Forcat e Armatosura – Roli i Avokatit të Popullit”.

Me këtë rast, zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlindë Sinani Lulaj dhe drejtori i Departamentit për Hetimin e Ankesave, Tafil Rrahmani, para zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në prezantimin e tyre trajtuan temat lidhur me të drejtat e njeriut, me fokus në forcat e armatosura dhe mbrojtja e tyre.

Ndër të tjera, u shtjellua edhe tema e Avokatit të Popullit, fushëveprimi dhe mbikëqyrja e autoriteteve publike, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, u theksuan edhe temat tjera si: korniza ligjore për të drejtat e njeriut, trajtimi i barabartë dhe mos diskriminimi, roli dhe kompetencat kushtetutese që ka Avokati i Popullit etj.

Prezantimin përkatës në fjalën e saj e vlerësoi lart edhe Shefja e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore të Ministrisë së Mbrojtjes, Halime Morina Lupçi.

Të drejtat e njeriut në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së janë të trajtuara në politikat dhe instrumente me prioritet të lartë, e që do të kulmojnë edhe me funksionalizmin e Komisionerit Parlamentar të FSK-së.

Autori i tekstit dhe fotografive: Ministria e Mbrojtjes