Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në debatin për sfidat në shërbimet sociale

26/10/2022

Prishtinë 25 tetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në konferencën “Sot flas unë” e organizuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF).

Në këtë konferencë është diskutuar për përfituesit e shërbimeve sociale dhe u theksua se gjendja e rëndë për shërbime sociale po vazhdon për shkak të pamundësive financiare.

Për shërbime sociale të qëndrueshme dhe cilësore është kërkuar që të miratohen dy projektligjet nga Kuvendi i Kosovës, ajo për shërbime sociale dhe projektligji për financat e pushtetit lokal.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se është shqetësuese që këto dy ligje të rëndësishme vazhdojnë të mos miratohen nga Kuvendi, të cilat do të sillnin shërbime cilësore për qytetarët e sidomos për fëmijët.

“Miratimi i këtyre ligjeve e veçanërisht i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, do të rregullonte në tërësi mandatin, rolin, kompetencat, përgjegjësitë dhe strukturën e qendrave për punë sociale, e që janë edhe rekomandime të Avokatit të Popullit në dy vitet e fundit,” tha ai.

Ai tha se ofrimi i shërbimeve sociale janë të lidhura ngushtë me të drejtat e njeriut. Në raportin e vitit 2019, Avokati i Popullit kishte vlerësuar se ofrimi i shërbimeve sociale nuk ishin në pajtim me standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Z. Qelaj tha në fund se ai do të vazhdojë të bëjë trysni tek autoritetet për përmirësimin e shërbimeve sociale si parakusht për mirëqenien dhe respektimin e të drejtave të njeriut.