Avokati i Popullit vizitoi Institutin Special në Shtime
Prishtinë, 24 tetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, së bashku me stafin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) vizitoi të hënën Institutin Special në Shtime.
Avokati i Popullit u prit nga drejtori i institutit, z. Xhemajl Dugolli dhe stafi i tij e të cilët diskutuan për punët dhe aktivitetet ditore që kjo qendër rezidenciale ofron për 63 persona pa përkujdesje familjare, përfshirë shërbimet shëndetësore dhe kujdesin social. Instituti ka 70 punëtorë ku përfshihen edhe stafi profesional ku së fundmi janë pranuar në punë një psikolog dhe një terapist i punës.
Z. Dugolli theksoi se instituti ka përmbushur të gjitha rekomandimet që kanë dal nga raportet e Avokatit të Popullit por edhe të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT). Ai theksoi se shqetësimi kryesor për momentin është mungesa e statutit të institucionit dhe rregulloret e punës, dhe që në përgjithësi do të sillte rezultate më të mira në mbarëvajtjen e punës.
Një shqetësim tjetër i ngritur ishte në lidhje me Shtëpinë e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara Mendore në Shtime, që është i vetmi institucion i tipit të hapur në Kosovë, me kapacitet prej 10 shtretërve, por që të dhjetë personat tashmë kanë arritur moshën mbi 18 vjeçare. Shtëpia e fëmijëve akomodon fëmijët me nevoja të veçanta dhe ofron shërbime 24 orësh, si në vijim: ushqim, veshmbathje, përkujdesje shëndetësore, terapi të punës edukative dhe aftësuese, dhe trajtim social.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj vizitoi punëtoritë dhe qendrat ditore, pastaj edhe dhomën mjekësore, kuzhinën dhe hapësirat tjera ku qëndrojnë rezidentët. Ai përgëzoi drejtorin Dugolli dhe të gjithë punëtorët për punën që po e bëjnë për qytetarët që janë me nevoja të veçanta dhe të mëdha. Ai tha se Instituti duhet të vazhdojë me këto hapa të zhvillimit dhe që IAP do jetë në gatishmëri për të kontribuar në suksesin e tyre.