Avokati i Popullit takoi Sirpa Rautio, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtat e Njeriut të Finlandës
Prishtinë, 21 tetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi të premten znj. Sirpa Rautio, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtat e Njeriut të Finlandës, dhe kryesuese e Rrjetit Evropian për Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENHRRI).
Z. Qelaj e njoftoi znj. Rautio për rolin dhe mandatin e tij të zgjeruar që i jep Kushtetuta e vendit, duke përfshirë rolin kryesor si mekanizëm ligjor për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve. Ai është edhe mekanizëm i barazisë për promovim, monitorim dhe mbështetje të trajtimit të barabartë pa diskriminim në bazat e mbrojtura nga Ligji për barazi gjinore dhe Ligji për mbrojtje nga diskriminimi.
Po ashtu, IAP vepron si Mekanizëm Kombëtar për parandalim të torturës, dhe janë edhe 18 ligje tjera që përfshijnë rolin dhe punën e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit po ashtu e njoftoi mysafiren për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rëndësinë që ka ky anëtarësim për qytetarët e vendit. Ai nënvizoi edhe procesin e digjitalizimit që po ndodh në Institucion dhe ngritjen e kapaciteteve me mbështetje të organizatave ndërkombëtare.
Znj. Rautio ka përvojë të gjatë në fushën e të drejtave të njeriut nëpër misione të ndryshme të organizatave ndërkombëtare. Ajo theksoi se ka qenë në Kosovë qysh në vitin 1999, kur kanë filluar vrasjet e para në Drenicë, duke punuar për zyrën e Komisionierit të OKB-së për të drejtat e njeriut.
Institucioni i Avokatit të Popullit është anëtar i ENNHRI që nga viti 2013 dhe ka kontribuar shumë në punë dhe aktivitete të përbashkëta.