
Avokati i Popullit takoi Ambasadoren për të Drejtat e Njeriut të Francës, znj. Delphine Borione
Prishtinë, 21 tetor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim znj. Delphine Borione, Ambasadore për të Drejtat e Njeriut të Francës, ish-ambasadore e Francës në Kosovë.
Z. Qelaj e informoi Ambasadoren Borione për punën dhe aktivitetet e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), kompetencat dhe mandatin, si dhe në përgjithësi sa i përket gjendjes së të drejtave të njeriut në vend.
Avokati i Popullit foli edhe për aktualitetin në vend që lidhet me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se anëtarësimi në këtë organizatë do të ndikojë në të mirë për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe ofrimin e mundësisë për qytetarët që të kenë edhe një adresë për të kërkuar drejtësi, dhe i kërkoi znj. Borione mbështetjen e shtetit francez lidhur më këtë proces.
Ai diskutoi edhe për çështjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, pozitën e gruas në shoqëri, dhe dhunën në familje. Përveç kësaj, z. Qelaj diskutoi edhe lidhur me krimet e luftës dhe domosdoshmërinë që kësaj çështje t’i jepet më shumë prioritet nga shteti, në mënyrë që të vendoset drejtësia për të gjitha viktimat e këtyre krimeve, përfshirë të drejtën e familjeve për të ditur për të afërmit e tyre të pagjetur, dhe po ashtu për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ai po ashtu e njoftoi Ambasadoren Borione për punën që po bënë IAP në luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve nga urrejtja, duke theksuar se deri në fund të këtij viti do të del me një raport për këtë çështje.
Ambasadorja Borione shprehu kënaqësinë për takimin dhe për kthimin e saj në Kosovë e gëzuar për shumë zhvillime që janë bërë në vend. Ajo theksoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi i IAP-së me mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, duke përshëndetur kontributin e IAP-së në këtë drejtim.
Znj. Borione po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e organizuar nga Presidentja së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.