IAP mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të Ombuds-ve për forcat e armatosura
Prishtinë 4 tetor 2022 – Në Oslo të Norvegjisë, për dy ditë radhazi (2-4 tetor 2022), u mbajt Konferenca 14-të Ndërkombëtare e Institucioneve të Ombuds-ve për Forcat e Armatosura (14ICOAF).
Në këtë Konferencë kanpo marrin pjesë zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Lulaj dhe Drejtori i hetimeve, Tafil Rrahmani, krahas kolegëve të tyre prej rreth 50 shteteve të ftuara, gjithandej globit.
Konferenca këtë vit ka shqyrtuar rolin e institucioneve të Ombuds-ve para dhe gjatë konflikteve të armatosura, te drejtat dhe detyrimet e personelit të forcave të armatosura në kohë paqeje dhe rastet kur ato mbështesin zbatimin e ligjit.
Veç të tjerash, gjatë Konferencës ishin paraparë sesione të veçanta për barazinë gjinore në forcat e armatosura; post -dislokimin dhe të drejtat shëndetësore , përfshirë shëndetin mendor të personelit të forcave të armatosura, si dhe për rolin e institucioneve të Ombuds-ve përkitazi me OZHQ 16 -Paqe, drejtësi dhe Institucione të forta.
Njē sesion special, iu kushtua luftës në Ukrainë dhe rolit të Komisionerit Parlamentar për të Drejta të Njeriut atje.
Konferenca këtë vit po mbahet si bashkëorganizim i DCAF – Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë dhe Komisionit të Ombuds-it Parlamentar të Forcave të Armatosura të Norvegjisë.
14ICOAF paraqet tashmë një forum ndërkombëtar të rëndësishëm për të promovuar dhe fuqizuar mbikëqyrjen demokratike të forcave të armatosura, me pjesëmarrës që ndajnë bashkërisht aspirata të njëjta për parandalimin e keqqeverisjes dhe cenimit të të drejtave të njeriut.