
Avokati i Popullit merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EQUINET
Prishtinë, 5 tetor 2022 – Avokati i Popullit po merr pjesë në takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian për Organet e Barazisë (EQUINET), i cili është duke u mbajtur në Bruksel, Belgjikë.
Në takimin e këtij viti, në sesionin e parë të takimit u votua lidhur me Planin Strategjik, Planin e Punës si dhe Procedurat për zgjedhjen e anëtarëve dhe bordit ekzekutiv të Equinet-it.
Ndërsa në sesionin e dytë pati një diskutim të frytshëm lidhur me propozimin e direktivës së re të Bashkimit Evropian lidhur me standardet për organet e barazisë, e cila do të miratohet në muajin nëntor të këtij viti dhe do të përcaktoj një standard ligjor obligativ për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre që aspirojnë të anëtarësohen aty.
Ky rrjet ka për mision promovimin e barazisë në Evropë, duke mbështetur dhe aftësuar organet e barazisë në punën e tyre, për të qenë të pavarur dhe efektiv në angazhimin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe trajtimi i pabarabartë.
Institucioni i Avokatit të Popullit është anëtar me të drejta të plota në këtë rrjet që prej vitit 2019.