Featured Image

Ftesë për dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues

30/09/2022

Prishtinë, 30 shtator 2022 – Hetimi i përgjithshëm, të cilin e ka iniciuar Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), lidhur me shëndetin riprodhues, me fokus shëndetin maternal, planifikimin familjar dhe abortin në Kosovë, ka arritur në fazën e dëgjimeve publike.

Këto dëgjime publike janë planifikuar, si në vijim:

  • Gjakovë           3 tetor 2022
  • Gjilan              5 tetor 2022
  • Prishtinë          6 tetor 2022
  • Pejë                 7 tetor 2022
  • Prizren             10 tetor 2022
  • Ferizaj             11 tetor 2022
  • Mitrovicë        12 tetor 2022

Dëgjimet mbahen prej orës 10:00 deri në orën 12:00, në sallat e kuvendeve komunale të komunave përkatëse.

Jua rikujtojmë se dëgjimet publike janë përmbushje e dimensionit publik që ka ky hetim dhe vazhdimësi e mbi 100 intervistave dhe e 14 fokus-grupeve, të realizuara në shtatë regjionet e vendit, me gra e vajza që kanë ofruar dëshmitë e tyre për trajtimin përkitazi me shëndetin seksual dhe riprodhues. Pohimet e tyre janë bazë e hetimit për nivelin e respektimit apo të cenimit të të drejtave, që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, lidhen me çështjet që trajton hetimi.

Hetimi në fjalë nuk zëvendëson rolin e gjyqësorit dhe as të organeve të tjera të zbatimit të ligjit, por paraqet vazhdimësi të punës së IAP-së, në pajtim me mandatin që ka, për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, të ndërlidhura ngushtë me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, veçanërisht me disa nga synimet e Objektivit 3:Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat.”; dhe të Objektivit 5: “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.

IAP-ja inkurajon gratë dhe vajzat, por edhe të tjerët, që konsiderojnë se mund t’i ndajnë në një dëgjim publik përvojat dhe dëshmitë e tyre nga perspektiva e çështjeve që u theksuan më lart, të bëhen pjesë e këtyre dëgjimeve publike, sipas regjioneve ku jetojnë dhe veprojnë.