
IAP, KOMF dhe LQPSK kërkuan nga qeveria që t’i miratojë dy projektligje për shërbime sociale më të mira për fëmijët dhe familjet
Prishtinë, 9 gusht 2022 – Institucioni i Avokatit të Popullit, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtje të Fëmijëve (KOMF) dhe Lidhja e Qendrave për Punë Sociale të Kosovës (LQPSK) kanë paraqitur një qëndrim të përbashkët sa i përket dy projektligjeve që mëtojnë të ndihmojnë fëmijët dhe familjet dhe kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që t’i miratojnë sivjet, sipas agjendës legjislative.
IAP, KOMF dhe LQPSK i kanë dërguar një letër qeverisë së Kosovës në lidhje me projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal dhe projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, e të cilat parashihen që të miratohen në shtator dhe tetor të vitit 2022.
Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal parasheh krijimin e një Granti Specifik për Shërbime Sociale, i cili do të sigurojë një minimum të financimit për shërbimet sociale. Ndërsa, Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare parasheh të ofrojë mbështetje për fëmijët dhe familjet në nevojë, viktimat e dhunës në familje, trafikimit dhe shfrytëzimit, fëmijët me aftësi të kufizuara, e të tjera.
“Duke pasur parasysh zvarritjen e procesit të miratimit të këtyre projektligjeve për disa vite si dhe nevojat e qytetarëve për shërbime shtesë pas situatës së rënduar nga Pandemia Covid-19, konsiderojmë se Qeveria duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që miratimi i këtyre projektligjeve të bëhet brenda afateve të përcaktuara me agjendën legjislative,” thuhet në letrën e përbashkët.