Featured Image

Komunikatë për Media

22/07/2022

Prishtinë, 21 korrik 2022 – Avokati i Popullit, në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor, sot publikoi raportin nr. 13/2022 të cilin ju ka përcjellë autoriteteve përgjegjëse.

Raporti është iniciuar sipas detyrës zyrtare bazuar në raportimet e portalit “Gazeta Express”, me titullin: “Vrasja e gruas në Llaushë të Skënderajt, krejt çka dihet deri tash”, ku ishte raportua se më 5 janar 2022, në fshatin Llaushë në Skenderaj, ishte gjetur e vrarë me armë zjarri një grua (me inicialet: L.Q.). Raportohej se bëhej fjalë për vrasje, duke theksuar se viktima dhe dorasi ishin bashkëshortë për shumë vite dhe nga kjo bashkësi martesore kishin tre fëmijë. Më tej ishte raportuar se L.Q., më 1 janar 2022, e kishte raportuar rastin e dhunës në familje, por dyshohej se autoritetet nuk i kishin ndërmarrë masat e nevojshme dhe për pasojë rasti kishte përfunduar tragjikisht.

Raporti vlerëson përmbushjen e detyrimeve pozitive nga ana e autoriteteve përgjegjëse për të mbrojtur të drejtën në jetë të qytetarëve; analizon veprimet dhe mosveprimet e autoriteteve përkitazi me mbrojtjen e të drejtës në jetë, zbatimin e dispozitave kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ligjet, politikat dhe strategjitë kundër dhunës në familje.

Disa nga konstatimet e Avokati i Popullit në këtë raport janë : autoritetet kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve pozitive për të mbrojtur të drejtën në jetë, nuk janë respektuar Procedura Standarde e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje në Kosovë, autoritetet nuk e trajtuan me vëmendjen e duhur rastin dhe nuk i ofruan mbrojtje adekuate viktimës, ka munguar koordinimi i veprimeve ndërmjet autoriteteve, gjë që shtron nevojën e përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve për rastet e dhunës në familje dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të secilit institucion, prokurori i rastit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë edhe përkundër faktit se është vënë në dijeni për rastin, nuk ka ndërmarr veprimet ligjore për vlerësimin e rrezikut dhe masave të sigurisë për viktimën, në raport me numrin e rasteve në rritje të dhunës e veçmas të dhunës në familje vazhdon të ketë numër të pamjaftueshëm të mbrojtësve të viktimave, në këtë kontekst.

 

Me këtë rast Avokati i Popullit rekomandoi:

 

  1. Policinë e Kosovës:
    • Në rastet e dhunës në familje, të gjitha stacionet policore, nëpërmjet zyrtarëve përgjegjës të veprojnë në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit.
    • Në rastet të dhunës në familje zyrtarët përgjegjës të veprojnë në përputhje me nenin 24, paragrafi 4, të Ligjit nr. 03/L-182 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Procedurat Standarde të Veprimit.
    • Në të gjitha rastet e dhunës në familje që raportohen jashtë orarit të punës së gjykatave, policia pas vlerësimit të rrezikut të veproi në përputhje me nenin 22 të Ligjit nr. 03/L-182 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Procedurat Standarde të Veprimit.
  2. Këshillin Prokurorial të Kosovës:
  • Të rishikohet procedura standarde e veprimit për rastet e dhunës në familje me qëllim që të ndërtohen politika të qarta dhe të qëndrueshme institucionale të vlerësimit real të rrezikshmërisë së rasteve dhe masat urgjente që duhen ndërmarrë për sigurinë e viktimës dhe parandalimin e dhunës në familje.
  • Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të përgatis module të veçanta trajnimi për prokurorë për të ngritur kapacitetet përkitazi me trajtimin e rasteve të dhunës në familje me fokus vlerësimin e rrezikshmërisë dhe masat për sigurinë e viktimës.
  • Të shtohet numri i mbrojtësve të viktimave në raport me numrin e rasteve në rritje të dhunës, e veçmas të dhunës në familje.

LINK