Avokati i Popullit bisedoi me studentët për të drejtat e të rinjve
Prishtinë, 8 korrik 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi studentët e rinj të juridikut dhe të drejtimeve tjera me të cilët bisedoi për punën dhe rolin e tij në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Z. Qelaj përgëzoi studentët që kanë treguar interesim për të ditur më shumë dhe më në detaje për të drejtat e njeriut në përgjithësi, dhe për sfidat me të cilat përballet shoqëria në respektimin dhe zbatimin e ligjeve që ofrojnë garanci dhe të drejta për të gjithë.
Studentët u njoftuan për mandatin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, por edhe për kompetencat e zgjeruara që dalin nga ligje të shumta. Me theks të veçantë u njoftuan edhe për çështjet e trajtuara nga IAP që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve.
Studentët janë pjesë e Shkollës Alternative për të Drejtat e Njeriut, që organizohet në kuadër të projektit “Të Rinjtë për Drejtësi” – edicioni i katërt i udhëhequr nga organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR). Ky projekt, ndër të tjera, ofron mundësi alternative për studentët për të marrë njohuri dhe praktika.