IAP-ja mbajti tryezën për sfidat e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Prishtinë, 7 korrik 2022 – Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi një tryezë të enjten me temë diskutimi: “Sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, ku morën pjesë përfaqësues nga institucionet publike.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se institucionet publike duhet të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim të zbatimit të obligimeve që dalin nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ai shtoi se duhet të ketë një koordinimin më të madh ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale në mënyrë që të parandalohet por edhe të luftohet diskriminimi, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të vendit.
Ai shtoi se diskriminimi si çështje duhet ta ketë vëmendjen e të gjithëve me qëllim të trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe se do të ketë aktivitete të tilla në të ardhmen në mënyrë që të ketë ndikim më të madh në informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe për obligimet e institucioneve publike.
Z. Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë (ZQM), në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, tha se me gjithë arritjet e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Kosovë, megjithatë, ka ende shumë sfida për zbatimin praktik të tij. Ai tha se ZQM-ja ka në fokus që të kontribuojë për arritjen e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet publike brenda kompetencave që i ka kjo zyrë.
Zëvendësi i Kryeinspektorit të Punës për Sigurinë në Punë, z. Agim Millaku pohoi se kanë pranuar shumë ankesa nga qytetarët, por kapacitetet e vogla njerëzore në këtë inspektorat kanë bërë që të ketë vonesa në shqyrtimin e ankesave të punëtorëve. Ai tha se Inspektorati i Punës ballafaqohet me mungesën e hapësirës së zyrave. Ai shtoi se Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi duhet të harmonizohet me Projektligjin e Punës në çështjen që ka të bëjë me lartësinë e shqiptimit të gjobave ndaj punëdhënësve.
Z. Shaban Osmanaj, zëvendësues i detyrës së Kryeinspektorit Shëndetësor, tha se kanë pranuar shumë ankesa nga qytetarët përkitazi me ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të cilat i kanë dërguar tek autoritetet e tjera kompetente për shqyrtim të mëtejmë. Sipas tij, disa prej ankesave kanë të bëjnë me listën e pritjes për të marrë shërbime shëndetësore nga institucionet publike. Ai shtoi se personat me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje fizike në disa nga objektet shëndetësore në Kosovë.
Z. Defrim Gashi, drejtor i Inspektimit të Arsimit i MAShTI-t, tha se ka mungesë të inspektorëve të arsimit, gjë që ndikon në moszgjidhjen me kohë të ankesave të parashtruara në këtë mekanizëm.
Znj. Sevim Berverniku, zyrtare për Mbrojtje nga Diskriminimi e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës, tha se kanë pranuar disa ankesa që kanë të bëjnë me pretendime për diskriminim. Edhe ajo potencoi se kanë sfida në zbatimin e Udhëzimit Administrativ 33/2007 për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara.
Në debat morën pjesë edhe pjesëmarrësit e tjerë ku theksuan mospunësimin e personave me aftësi të kufizuara nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale, ndërsa punësimi është e drejtë e garantuar me ligj, me ç’ rast u përmend si sfiduese edhe çështja për ta kuptuar diskriminimin si përmbajtje. Gjithashtu pjesëmarrësit kërkuan promovim më të madh të obligimeve të dala nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Z. Qelaj tha se përkitazi me sfidat që e kanë shoqëruar zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të dalë me një qëndrim publik, ku do të prezantohen edhe rekomandimet konkrete për institucionet publike.