Featured Image

Komunikatë për media

27/06/2022

Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, në bashkëpunim organizuan tryezën ‘“Ujërat, e drejtë e njeriut – mbikëqyrja dhe llogaridhënia”,, .

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike; Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim; Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Zyra e Rregullatorit për Energji; përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, dhe organizatave ndërkombëtare.

Në këtë tryezë, e cila u organizua me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, u diskutua mbi gjendjen e ujërave në vend, mbi problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, operimi i hidrocentraleve në vend, mangësitë e evidentuara për respektim të parimit të ligjshmërisë dhe transparencës si dhe veprimet e autoriteteve publike në drejtim të mbrojtjes së ujërave, me qëllim të mbrojtjes të së drejtës për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët në vend, si e drejtë themelore e njeriut.

Në tryezë u prezantuan të gjeturat dhe qëndrimet e Avokatit të Popullit mbi gjendjen e ujërave në vend si dhe konstatimet dhe rekomandimet e dalura nga Raporti me rekomandime i Avokatit të Popullit lidhur me çështjen e ligjshmërisë së procedurave që kanë të bëjnë me hidrocentralet në vend dhe qasjes në dokumente përkitazi me hidrocentralet, si dhe gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e performancës  “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”. Lejimi i operimit të hidrocentraleve nga ZRRE dhe MMPHI pa plotësim të kritereve si Leja Ujore, Leja Mjedisore dhe anashkalimi i kritereve tjera për pasojë kanë rrezikimin e ujërave dhe të mjedisit.

Nga diskutimet e tryezës u konkludua që duhet të rritet bashkëpunimi, koordinimi si dhe përgjegjësia në punë e  institucioneve që janë hallka përgjegjëse të menaxhimit dhe mbikëqyrjes së procesit të licencimit dhe operimit të hidrocentraleve. Poashtu institucionet publike duhet të veprojnë në drejtim të implementimit të rekomandimeve të dhëna nga Avokati i Popullit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Njëherit informimi i publikut dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje duhet të prioritizohet, me qëllim të respektimit dhe mbrotjes së të drejtës për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.