Featured Image

MKPT e Avokatit të Popullit shënon Ditën Ndërkombëtare për Mbështetjen e Viktimave të Torturës

26/06/2022

Prishtinë – Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës i Avokatit të Popullit mori pjesë në takimin e Rrjetit të Mekanizmave të Evropës Juglindore, që u mbajt në Vjenë prej 20 deri 22 qershor 2022.

Qëllimi i takimit ishte në lidhje me çështjet e mbrojtjes së të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta në qendrat e ndalimit, e organizuar nga mekanizmi kombëtar i parandalimit të Austrisë, e cila është kryesuese e Rrjetit këtë vit (https://see-npm.net/about-us/) .

Në fund të takimit, u aprovuan konkluzione dhe rekomandime të cilat synojnë fuqizimin e mbrojtjes së këtyre grupeve të cenueshme dhe kësisoj duke ofruar mbështetje për të gjitha viktimat e torturës:

Konkluzionet/rekomandimet

(siç janë miratuar në takimin e Rrjetit të NPM-ve më 21 qershor në Vjenë)

– Të burgosurit më në moshë duhet të vendosen me popullatën e përgjithshme të burgjeve dhe kërkesat e tyre për akomodim duhet të jenë adekuate sipas nevojave të tyre me qëllim të respektimit të dinjitetit të tyre.

– Të burgosurit me nevoja për përkujdesje të veçantë për shkak të moshës apo paaftësisë së tyre fizike, duhet t’i ofrohet kujdesi në ambiente adekuate.

– Duhet të vihet në dispozicion një numër i duhur i kujdestarëve të trajnuar në të gjitha institucionet korrektuese.

– Nëse ofrohet kujdesi nga të burgosurit tjerë, ata duhet të mbështeten dhe të trajnohen në mënyrë adekuate. Çështjet që ndërlidhen me lëshime të mundshme për shkak të kujdesit të dobët duhet të rregullohen dhe të sqarohen.

– I gjithë personeli që është i përfshirë në mbikëqyrjen dhe kujdesin ndaj të burgosurve të moshuar ose të burgosurve me nevoja të veçanta fizike duhet të vijojnë rregullisht trajnime specifike.

– Gjatë përgatitjes për lirimin e këtij grupi të cenueshëm, autoritetet shtetërore duhet të ofrojnë asistence të duhur sipas nevojave individuale.

Ndër grupet shoqërore më të rrezikuara nga tortura dhe trajtimet ose dënimet tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese janë sigurisht personat e privuar nga liria e tyre, duke përfshirë, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.

Dita e 26 qershorit shënon Ditën Ndërkombëtare për Mbështetjen e Viktimave të Torturës. Në atë ditë, pra saktësisht 35 vjet më parë, hyri në fuqi Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore apo Degraduese.