Featured Image

KOMUNIKATË PËR MEDIA

21/06/2022

 Prishtinë, 21 qershor 2022 – Avokati i Popullit ka organizuar tryezën lidhur me Zgjidhjen efektive të zvarritjeve të procedurës gjyqësore – shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, ku morën pjesë, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Gresa Cakaj Nimani, Kryetari i Gjykatës Supreme z. Enver Peci, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj, Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, Kryetari i Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit z. Adnan Rrustemi, Kryetari i Gjykatës së Apelit z. Valon Totaj dhe kryetarët e gjykatave themelore të Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt dhe Prizrenit, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Teme e tryezës ishte Raporti i Avokatit të Popullit, i publikuar më 6 mars 2018, lidhur me shkeljen e së drejtës për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor me ç’ rast Avokati i Popullit u kishte dërguar rekomandim autoriteteve përgjegjëse për ndërmarrjen e nismës legjislative për propozimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, me të cilin do të përcaktoheshin mjetet efektive juridike për rastet që kanë të bëjnë me zvarritjen e procedurave gjyqësore, në pajtim me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.

 

Në bazë të prezantimeve dhe diskutimeve në tryezë janë nxjerrë përfundimet si në vijim:

  • Angazhimi i përbashkët të gjitha institucioneve kompetente për ndërmarrjen e veprimeve për krijimin e mekanizmit për zgjidhjen efektive lidhur me rastet e zvarritjeve të procedurës gjyqësore kompensimin e viktimave të shkeljes së të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm;
  • Ngritja e kapaciteteve dhe buxhetit të gjykatave me qëllim të shkurtimit të periudhës kohore për përfundimin e lëndëve në gjykata;
  • Bashkëpunimi i ndërsjellë i të tri pushteteve me qëllim të realizimit të suksesshëm të reformës në drejtësi.

 

Linku i raportit nr. 129/2018: LINK