
Avokati i Popullit organizon raundin e dytë të fokus grupeve përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues
Prishtinë, 15 qershor, 2022 –– Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) vazhdon me organizimin dhe mbajtjen e aktivitetit të radhës përkitazi me hetimin sipas detyrës zyrtare për shëndetin riprodhues, me fokus në tri çështje kryesore: shëndetin maternal; planifikimin familjar; dhe abortin në Kosovë.
Ashtu siç është theksuar në informatat e publikuara në nëntor të vitit 2021 dhe në shkurt të vitit 2022, ky hetim i përgjithshëm ka shtrirje në zonat rurale dhe urbane, në të gjitha regjionet e vendit dhe merr për bazë dëshmi të drejtpërdrejta nga gra/vajza, që potencialisht u janë cenuar të drejta, që, drejtpërdrejtë apo tërthorazi, lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues.
Metodologjia e punës për realizimin e këtij hetimi është në linjë me parimet e punës së Avokatit të Popullit, që nënkupton: mirëqeverisje, transparencë, gjithëpërfshirje, mosdiskriminim, ndjeshmëri gjinore, konfidencialitet, si dhe do ta ndjekë parimin për të mos bërë dëm.
Rikujtojmë se hetimi në fjalë nuk zëvendëson rolin e gjyqësorit dhe të organeve të tjera të zbatimit të ligjit, por paraqet vazhdimësi të punës së IAP-së, në pajtim me mandatin që ka, për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërlidhur ngushtë me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, veçanërisht me disa nga synimet e Objektivit 3: “Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat.”; dhe të Objektivit 5: “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.”
Në përmbushje të dimensionit publik që ka ky hetim, IAP-ja njofton se pas organizimit dhe mbajtjes së aktiviteteve të deritanishme, do të vazhdohet me aktivitetin e radhës e që është organizimi dhe mbajtja e raundit të dytë të fokus-grupeve me viktimat potenciale të shkeljeve të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues, në regjionin e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit dhe Ferizajt, si vazhdimësi e aktivitetit të fokus-grupeve të mbajtura në vjeshtën e vitit 2021.
Me qëllim të përfshirjes më të madhe të grave dhe vajzave nga viset rurale, si dhe të përfshirjes së kategorive shoqërore të margjinalizuara apo lehtësisht më të cenueshme, ky raund i fokus-grupeve mbahet në datat dhe lokacionet e saktësuara më poshtë:
Më 17 qershor 2022 në Deçan
Më 20 qershor 2022 në Kamenicë
Më 22 qershor 2022 në Kaçanik
Më 23 qershor 2022 në Skenderaj
Më 24 qershor në Graçanicë
Më 27 qershor në Suharekë
Më 29 qershor 2022 Gjakovë
IAP-ja bën thirrje publike për informata përkitazi me tri çështjet në fokus të këtij hetimi dhe inkurajojnë gratë dhe vajzat, që konsiderojnë se mund të ndajnë me ne përvojat e tyre dhe mund të kontribuojnë me dëshmitë e tyre nga perspektiva e çështjeve që u theksuan më lart, të bëhen pjesë e takimeve të fokus-grupeve sipas regjioneve ku jetojnë dhe veprojnë.
Gratë dhe vajzat, ashtu sikurse edhe të interesuar/a të tjerë/a që janë të gatshëm të ofrojnë përvojat e tyre për sa u tha më lart, mund të lajmërohen në numrin e telefonit në IAP 0800 15555 (thirrja është falas). Për çfarëdo referencë, dëshmi apo përvojë që ndahen në intervista dhe në fokus-grupe, do të ruhet anonimiteti.