
Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me qytetarët në Suharekë
Prishtine, 15 qershor 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dëgjoi personat me aftësi të kufizuar të komunës së Suharekës për sfidat dhe problemet e tyre që hasin në jetën e përditshme. Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës, z. Bali Muharremaj, si dhe dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, znj. Albana Bytyqi dhe z. Sali Zyba.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj informoi shkurtimisht të pranishmit për mandatin dhe rolin e tij në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut, si dhe për kompetencat e tij që dalin nga ligji. Ai tha se në tryezat e tilla po grumbullohen shumë të dhëna nga qytetarët dhe shqetësimet.
Personat me aftësi të kufizuara ngriten disa shqetësime sa i përket qasjes fizike ku mungojnë pjerrinat nëpër institucione publike por edhe në ato private. Ankesat e shumta u ngritën kundrejt komisioneve mjekësore që bëjnë vlerësimin e aftësisë së kufizuar.
Personat e verbër theksuan se nuk po kanë mundësi të importojnë automjete të vecanta për ta pasi që autoritetet po u kërkojnë atyre që të kenë patentë shoferë. Po ashtu, ata theksuan se shqetësim tjetër për ta është moszabtimi i ligjit për personat e verbër si dhe moszbatimi i ligjit për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, si për shembull lirimi nga tatimi në pronë, si dhe nga pagesat e tjera.
Gjithashtu u theksua si një cështje tjetër shqetësuese largimi nga skema sociale për fëmijët pasi ata mbushin moshën pesë vjecare. Temë tjetër u theksua edhe mungesa e asistentëve nëpër shkolla si një e drejtë e fëmijëve me aftësi të kufizuar.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u përgjigj në shumë cështje të shtruara nga pjesëmarrësit, duke u treguar se gjatë tryezave të fushatës janëidentifikuar shumë sfida dhe probleme e për të cilat do të bëhet hetime dhe do të dalin me rekomandime për autoritetet publike.
Pyetjeve të pjesëmarrësve po ashtu u janë përgjigjur kryetari i qytetit dhe deputetët në fjalë. Kryetari z. Muharremaj theksoi se gatishmerinë si kryetari i komunës që të bashkëpunojë me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile për përmirësimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar. Ai shtoi se komuna ka ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete me iu dal në ndihmë personave më aftësi të kufizuar, duke shtuar numrin e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar, po ashtu edhe duke iu dhënë në shfrytëzim lokalet pa qera për shoqatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
Ndërsa, deputetet, znj. Albana Bytyqi dhe z. Sali Zyba theksuan rëndësinë që deputetët të marrin pjesë nëpër tryeza për ti dëgjuar sfidat dhe shqetësimet e qytetarëvem, me qëllim të zgjidhjes së shqetësimeve që kanë personat me aftësi të kufizuar.