Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve
Prishtinë, 13 qershor 2022 – 12 Qershori në mbarë botën shënohet si Dita Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve. Shënimi i kësaj dite bëhet me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe të inkurajimit jo vetëm të institucioneve shtetërore dhe joshtetërore, por edhe të shoqërisë në përgjithësi, për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të parandaluar dhe eliminuar punën e fëmijëve, e cila me natyrën ose mënyrën sesi zhvillohet, dëmton, abuzon dhe shfrytëzon fëmijën dhe i mohon fëmijës të drejtën për arsim.
Rreth 160 milionë vajza dhe djem në botë janë të përfshirë në punë. Edhe në Kosovë një numër i fëmijëve janë të përfshirë në aktivitete ekonomike dhe punë shtëpie, edhe në kushte të rrezikshme pune, në të cilat u ekspozohen pluhurit, të ftohtit, nxehtësisë apo lagështisë, duke rrezikuar shëndetin dhe mirëqenien. Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve për gjendjen e rëndë të fëmijëve në situatë rruge të cilët mbijetojnë duke pastruar xhamat e automjeteve, duke shitur gjësende të imëta, duke kërkuar lëmoshë apo nëpër kontejnerë përballen po me këto rreziqe dhe rrezikun nga abuzimi dhe shfrytëzimi meqë gjenden në rrugë.
Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi ekonomik dhe kryerja e çdo pune që paraqet rrezik ose që cenon edukimin, që dëmton shëndetin apo zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral apo shoqëror të fëmijëve është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, e cila drejtpërdrejtë zbatohet në Kosovë. Ndërsa Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, adreson ndalimin e të gjitha formave të punës së fëmijëve dhe synon të rregullojë monitorimin e punës së fëmijëve, përveç tjerash.
Avokati i Popullit apelon Qeverinë e Kosovës si dhe Ministrinë përkatëse për punë dhe mirëqenie sociale që të nxjerrin udhëzimin administrativ lidhur me parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë.