Featured Image

Avokati i Popullit bisedoi për të drejtat e njeriut me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve lokale në Ferizaj

09/06/2022

Prishtinë, 9 qershor 2022 – Avokati i Popullit bashkëbisedoi për gjendjen e të drejtave të njeriut me anëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve lokale, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut të regjionit të Ferizajt.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se sot në Ferizaj është për t’i dëgjuar pjesëmarrësit për sfidat që ballafaqohen në punën e tyre dhe për problemet në lidhje me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në këtë komunë, me qëllim që çështjet e ngritura t’i adresojë tek autoritetet lokale.

Përfaqësuesit e organizatave për personat me aftësi të kufizuar theksuan problemin e qasjes nëpër objekte të institucioneve lokale për të cilën kanë pranuar ankesa të shumta nga anëtarët e tyre. Po ashtu mos punësimi i personave me aftësi të kufizuar përkundër që ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar kërkon që çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtorë.

Po ashtu, u theksua pakënaqësia e madhe e familjeve që largohen nga skemat sociale për shkak të disa kritereve që ndërlidhen me moshën e fëmijëve, duke e konsideruar ligjin për skemën e ndihmës sociale si të pabarabartë. Ata theksuan se familjet e tilla zhyten në situatë më të rëndë ekonomike e sociale ndërsa punëtorët social nuk kanë si tu ndihmojnë.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u përgjigj në temat e hapura nga pjesëmarrësit duke i ndërlidhur ato me punën e zyrës rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit në Ferizaj, që ka trajtuar dhe ka nxjerrë raporte me rekomandime për autoritetet lokale. Në anën tjetër, disa nga ankesat që u identifikuan për këtë komunë do të jenë pjesë e raportit që do të publikohet në një të ardhme të afërt, me rekomandime për institucionet lokale për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Kjo tryezë që është në kuadër të fushatës “Barazi për të gjithë” u financua nga projekti i Bashkimit Evropian “Mbështetja e BE-së për Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë.