Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit
Prishtinë, më 5 qershor 2022 – Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, Avokati i Popullit thekson se kjo ditë është një mundësi e mirë për të tërhequr vëmendjen për sfidat e mjedisit në vendin tonë dhe mundësi për të ngritur vetëdijen e të gjithëve për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit.
Dita Botërore e Mjedisit e gjen vendin para problemeve mjedisore nga të cilat kufizohen të drejtat e qytetarëve të vendit, pa ndonjë veprim të dukshëm të institucioneve kompetente të cilat do të paraqisnin ndryshime pozitive në mjedis.
Edhe pse në Kushtetutën e vendit “Përgjegjësia për mjedisin jetësor”, është përfshirë në kapitullin për të drejtat e njeriut, mbrojtja e mjedisit është renditur në vlerat në të cilat bazohet rendi kushtetues, shteti nuk ka arritur të ndërmarrë hapa konkrete për ta renditur mjedisin në prioritetet e vendit.
Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e institucioneve për detyrimet kushtetuese e ligjore që kanë për tu angazhuar që t’i garantojnë secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor e gjithashtu të kujdesën që ndikimi në mjedisin jetësor të merret parasysh në procesin e marrjes së vendimeve.
Ndotja e ujit ajrit, dhe tokës, keq menaxhimi i mbeturinave, mos arritja e vënies në kontroll të zhurmës, mungesa e monitorimit cilësor, mangësitë në proceset e vendimmarrjes, mungesa e informimit dhe qasjes në drejtësi lidhur me çështjet mjedisore, mbesin edhe me tej shqetësim për shoqërinë tonë dhe janë sfida për autoritetet publike, pa zgjedhjen e të cilave nuk mund të flitet për përmbushje të detyrimeve që kanë për mbrojtjen e mjedisit.
Avokati i Popullit, në këtë ditë fton të gjithë Institucionet përgjegjëse, që të krijojnë politika të qëndrueshme dhe të ndërmarrin hapa konkrete për promovimin e krijimit të mjedisit të shëndetshëm për popullin e Kosovës si dhe vendosjen e mjedisit në prioritet e qeverisë.