Featured Image

Tryeza në kuadër të fushatës “Barazi për të gjithë” u mbajt në Gjakovë

30/05/2022

Prishtinë, 30 maj 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u takua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve lokale të komunës së Gjakovës me të cilët diskutoi për sfidat në lidhje me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në këtë qytet.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se vizitat nëpër komuna e bëjnë atë të jetë shumë mirë i informuar për çështjet që ngritën nga pjesëmarrësit, e disa prej sfidave dalin të jenë të njëjta nëpër qytete. “Nga këto tryeza po dalim me vëmendje të shtuar për temat që po diskutohen. Natyrisht në fund të fushatës do të dalim me raporte për autoritetet përgjegjëse duke u rekomanduar përmirësimin e të drejtave të njeriut, të drejtat që u takojnë me ligje,” tha z. Qelaj.

Pjesëmarrësit diskutuan për sfidat dhe problemet me të cilat përballen në punën e tyre si çështjet sociale dhe ekonomike, moszbatimi i ligjeve, dhe pozita e komuniteteve në këtë komunë.

Në aspektin social u përsërit gjendja e qendrave për punë sociale e cila edhe në këtë qytet funksionon me një numër të vogël të zyrtarëve, si dhe mungesa e disa shërbimeve sociale. Po ashtu, përfaqësuesi lokal i zyrës për punë sociale theksoi se pakënaqësia e madhe e qytetarëve vjen për shkak të largimit të tyre nga asistenca sociale, për shkak të disa kritereve që ndërlidhen me moshën e fëmijëve. Për zyrtarët social vazhdon të jetë një temë e hapur edhe moskompensimi i tyre që punojnë jashtë orarit të punës, një gjë e cila nuk parashihet me ndonjë ligj.

Nga shoqata e të verbërve u tha se anëtarët e shoqatës shprehin pakënaqësi kur ata duhen të paraqiten para komisionit mjekësor, çdo 5 vjet, për kontroll të radhës, edhe pse ata kanë shikim të humbur të plotë. Nga ky komunitet u theksua po ashtu numri shumë i ulët i punësimeve të anëtarëve të tyre. Po ashtu, ata thanë se duhet të rregullohen mjetet akustike në semaforë, nëpër udhëkryqe të qytetit.

Përfaqësuesja e zyrës komunale për komunitete dhe të kthyer tha se komunitetet vazhdojnë të jenë të pabarabartë në shoqëri, duke theksuar gjendjen e rëndë ekonomike të tyre si njërin prej problemeve kryesore. Nga shoqata që merret me të rinjtë e moshës 14 deri në 18 vjeç të qytetit theksuan se shumica prej tyre nuk marrin pjesë në takimet javore për shkak se janë të punësuar. Ata theksuan se të rinjtë raportojnë se punojnë me orar të stërzgjatur, dhe kërkuan të monitorohet kjo çështje nga autoritetet lokale nëse ata punojnë me kontrata dhe në kushte të duhura të punës.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u përgjigj në temat e hapura nga pjesëmarrësit duke i ndërlidhur ato me punën e zyrës rajonale të Institucionit të Avokatit të Popullit në Gjakovë, që ka trajtuar dhe ka nxjerrë raporte me rekomandime për autoritetet lokale. Në anën tjetër, disa nga ankesat që u identifikuan për këtë komunë do të jenë pjesë e raportit që do të publikohet në një të ardhme të afërt, me rekomandime për institucionet lokale për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit me bashkëpunëtorë vizituan pjesë të lumit Dri, në lidhje me shqetësimin shumë vjeçar të banorëve të anës, për shkak të ndotjes dhe degradimit të shtratit të lumit. Çështja e të drejtave mjedisore do te trajtohet me kujdes të veçantë nga IAP për shkak të rëndësisë që ka mbrojtja e mjedisit nga ndotja dhe degradimi.

Këto tryeza vazhdojnë të mbahen në kuadër të fushatës të nisur sivjet “Barazi për të gjithë”, ndërsa qëllimi është që të diskutohet për ballafaqimet dhe problemet në punë me të gjitha palët përfshirëse që ndërlidhen me të drejtat e njeriut.