Featured Image

Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe institucioneve lokale të rajonit të Mitrovicës

26/05/2022

Prishtinë, 26 maj 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi të enjten përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve lokale dhe aktivistë të të drejtave të njeriut të rajonit të Mitrovicës, pjesë e fushatës “Barazi për të gjithë”.

Avokati i Popullit tha se qëllimi i këtyre takimeve është që të dëgjojë më për së afërmi për sfidat dhe problemet që hasin ata në punën e tyre dhe se si mund të ndikojë Institucioni i Avokatit të Popullit në zgjedhjen e tyre.

Pjesëmarrësit në tryezë përfaqësuan disa nga komunitetet e qytetit dhe ngritën një numër të temave dhe çështjeve që ata ballafaqohen.

Mungesa e punësimit të personave me aftësi të kufizuar ishte një ndër temat që u paraqit në tryezë duke konsideruar se nuk po zbatohet kuota që e parasheh ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Përfaqësuesi i organizatës që merret me komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptas theksoi se ky komunitet vazhdon të jetë i margjinalizuar, dhe sfida më e madhe për ta është papunësia. Pjesëtarë nga shoqëria civile theksuan po ashtu se Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk po zbatohet në nivel të duhur nga institucionet publike.

Po ashtu, përfaqësuesja nga strehimorja e qytetit tha se po përballen me reduktimin e buxhetit nga autoritetet, duke theksuar uljen prej 20 për qind, ndërsa numri i viktimave është shtuar dukshëm së fundmi. Në anën tjetër, mbrojtësi i viktimave të këtij qyteti theksoi se rastet në gjykatë po zvarriten ndërsa viktimave të dhunës në familje u shkaktohen probleme për të zgjidhur rastet e tyre të banimit.

Kjo tryezë u financua nga projekti i Bashkimit Evropian “Mbështetja e BE-së për Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë.