
Avokati i Popullit organizoi takimin e radhës të forumit për dialog me shoqërinë civile
Prishtinë, 25 maj 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj organizoi takimin e forumit për dialog ndërmjet Institucioni të Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile (OShC).
Avokati i Popullit në hapje të këtij takimi theksoi rëndësinë që ka Forumi në adresimin e temave me interes për qytetarët, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me shoqërinë civile është ‘partneritet i natyrshëm për shkak të punës që bëjmë për qytetarët’.
Ai i informoi anëtarët e Forumit me aktivitetet e Institucionit të Avokatit të Popullit në fusha të ndryshme të interesit të përgjithshëm siç është opinioni i Avokatit të Popullit për tarifat e energjisë elektrike, takimet me qytetarët në kuadër të fushatës “barazi për të gjithë”, si dhe qëndrimin e Avokatit të Popullit sa i përket Kodit Civil – konkretisht rregullimit ligjor të bashkëjetesës për gjinitë e njëjta.
Në vijim në këtë takim u prezantua dokumenti strategjik mbi të cilin do të funksionojë ky forum e që për qëllim ka adresimin e çështjeve në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, kontribut i dhënë edhe nga organizatat jo-qeveritare aktive në fushën e të drejtave të njeriut.
Objektivat kryesore të forumit janë: Avancimi i respektimit dhe i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore në Kosovë; Identifikimi dhe adresimi i rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut; Promovimi i punës së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe i Organizatave të Shoqërisë Civile që punojnë në çështjet e të drejtave të njeriut; dhe avokimi i përbashkët në zbatimin e rekomandimeve të IAP-së dhe të OShC-së.
Në këtë dokument janë paraqitur po ashtu edhe parimet mbi bazën e të cilave do të funksionojë Forumi, format e komunikimit, dhe krijimi i grupit punues që është organ mbështetës dhe koordinues i Forumit.
Anëtarët njëzëri vlerësuan themelimin e këtij forumi duke e konsideruar si një mundësi për ti adresuar temat e caktuara që lidhen me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe si një forum rreth të cilit duhet të bashkohen të gjithë organizatat e shoqërisë civile, që në fushëveprimin e tyre kanë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Veç kësaj ata potencuan se ky forum shumë më fuqishëm do të shtyjë proceset dhe do të unifikojë qëndrimet e shoqërisë civile për çështjet me rëndësi për të cilat ata angazhohen.
Anëtarët ngritën si çështje me rëndësi temën e Projektkodit Civil i cili në muajin mars nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës, për shkak të nenit që parasheh bashkëjetesë të personave të gjinisë së njëjtë. Pjesëmarrësit theksuan se është me shumë rëndësi që Avokati i Popullit të dal me opinion publik dhe të paraqes qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje duke respektuar parimet kushtetuese dhe të drejtën e personave me seks të njëjtë që me Kod Civil të rregullohen raportet e tyre në bashkëjetesë.
Përfaqësuesit e organizatave po ashtu ngritën edhe çështje tjera si shtyrja e procesit të aprovimit të projektligjit për financat e pushtetit lokal, që parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, i cili do të sigurojë një minimum të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale.
Gjithashtu u ngritën edhe tema tjera si mungesa e zërimit nëpër autobusë për informim të personave të verbër dhe me shikim të dobësuar për ndalesa nëpër stacione, problemet e punësimit për personat me aftësi të kufizuar, pastaj vështirësitë financiare në funksionim të organizatave të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Pjesëmarrësit u morën vesh për aktivitetet për muajt në vijim, si dhe për takimin e radhës në muajin shtator, ashtu siç parashihet me dokument strategjinë për takime tremujorëshe.