Featured Image

Nxënësit e fshatit Krushevë mësuan për rolin e Avokatit të Popullit

20/05/2022

Prishtinë, 20 maj 2022 – Në kuadër të aktiviteteve promovuese të Institucionit te Avokatit të Popullit, Zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Marija Radulovic, së bashku me kolegun e Zyrës Regjionale në Prizren, z. Hajriz Kelmendi, vizituan shkollën ‘Svetllost” në fshatin Krushevë, komuna e Dragashit.

Ky aktivitet ka të bëjë me synimin e informimit të nxënësve dhe mësimdhënësve për mandatin dhe rolin e IAP-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, veçmas në vetëdijesimin për domosdoshmërinë e parandalimit të ndëshkimit trupor nëpër shkolla, si dhe për mundësitë e tyre që përkitazi me shkeljet e të drejtave të njeriut ti drejtohen IAP-së.

Mësimdhënësit dhe nxënësit e klasave të 7, 8, dhe 9 u njoftuan edhe me Rregulloren IAP nr. 01/2019 për procedurat e veçanta për pranimin, trajtimin dhe adresimin e ankesave të paraqitura nga fëmijët apo ankesave që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve.

Në fund mësimdhënësit u pajisen me Raporte vjetore të IAP, ndërsa nxënësve iu shpërnda material promovues.