Avokati i Popullit merr pjesë në tryezën me temë “Parandalimi i korrupsionit”
Prishtinë, 19 maj 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë të organizuar në Mitrovicë të Veriut nga organizata jo-qeveritare ACDC me temë “Parandalimi i korrupsionit”. Z.Qelaj tha se duhet bërë më shumë në luftimin e korrupsionit i cili fenomen mund të ndikojë direkt apo indirekt në të drejtat e njeriut.
Ai tha se janë disa faktorë të paraqitjes së korrupsionit si mosfunksionimi i sistemit gjyqësor, burokracia tradicionale, të ardhurat e ulëta, kontrolli i pamjaftueshëm institucional e të tjera.
“Jam i bindur se duhet të bëhet më shumë në luftimin e korrupsionit, të promovohet raportimi i korrupsionit, dhe duhen marrë masa mbrojtëse që garantojnë drejtësi për raportuesit e korrupsionit”, tha z. Qelaj.
Avokati i Popullit shtoi se pasojat pa dyshim janë shumë të dëmshme për shoqërinë e që ndikojnë në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë, humbjen e besimit publik ndaj shtetit, duke rrezikuar stabilitetin politik dhe ekonomik, dhe zgjerimi i mentalitetit korruptues.
Në këtë panel mori pjesë edhe gjykatësi Milos Markovic nga Gjykata Themelore e Mitrovicës dhe përfaqësues nga shoqëria civile.